zoom

Bota

Paguani ose digjuni! Mesazhi i mafias italiane për bizneset që nuk i paguajnë ‘gjobën’

Një mëngjes nëntori, Gianpaolo Romano gjeti një letër të panënshkruar nën hyrjen e xhamit të sallës së ekspozitës së tij të makinave në një provincë jugore të Italisë, e njohur për plazhet e saj të pacenuara, fushat e gjera me domate dhe, këto ditë, një mafie të pamëshirshme lokale. Mesazhi thoshte se ai duhej të paguante 250.000 euro, ekuivalente me 286.000 dollarë.

Në letër, nuk thuhej se kujt duhej t’ia paguante “picën”, apo paratë e mbrojtjes, por se vetëm duhet t’i gjente. Ata e dinin idenerarin e tij dhe se ku jetonte familja e tij, thuhej në letër. Ishte hera e parë që ai merrte një kërcënim të tillë për “gjobë”.

Romano dhe dy vëllezërit e tij, të cilët janë bashkëpronarë të biznesit familjar të themeluar në vitin 1964, vendosën të mos paguanin dhe të denonconin kërcënimin në polici.

Por në mëngjesin e 4 janarit, një bombë që përziente barutin me gozhda dhe bulona, shpërtheu të gjitha dritaret e sallës së ekspozitës së dyqanit, dëmtoi rëndë tre makina dhe la vrima në grilat metalike të dyqanit përballë.

“Nuk pendohemi që e raportuam, edhe pse nuk ndihemi të sigurt tani”, – tha  Romano.

Shpërthimi në sallën e ekspozitës së Romanos, i parapriu një seri sulmesh të paparë më parë në provincën e Foggia-s, në rajonin jugor të Pulias, thembra e gadishullit italian në formë çizmeje.

Katërmbëdhjetë dyqane ose biznese kanë pësuar sulme me bomba ose zjarrvënie që nga fillimi i këtij viti, sipas shoqatës kundër zhvatjeve të Foggia-s.

Salloni i shitjes së makinave të Gianpaolo Romanos pësoi një sulm me bombë në fillim të janarit

Vala e dhunës shënon një përpjekje nga mafia e Foggia-s për të rikthyer pushtetin e saj, pas një goditjeje nga autoritetet italiane në vitet e fundit që çoi në arrestimin e qindra mafiozëve vendas, thanë zyrtarë gjyqësorë dhe pronarë biznesesh.

Turma lokale, e cila ka qenë aktive në zonë për tre dekada, shpesh quhet “Mafia e Katërt”, sepse është më e vogël dhe më pak e famshme se “Cosa Nostra” siciliane, “Ndrangheta” nga Kalabria ose “Camorra” nga Napoli.

Gjyqet penale në pritje në Foggia, janë rritur në më shumë se 12.000, krahasuar me 9.700 katër vjet më parë, kryesisht falë goditjes së turmës së autoriteteve, tha kryeprokurori i Foggia-s, Ludovico Vaccaro.

Pulia është një nga rajonet më të pasura në Italinë jugore. Por Foggia, me problemin e saj mafioz, është një nga pjesët më të varfra të provincës.

Një biznes lokal u dogj nga zjarri nga një sulm me bombë në zonën përreth Foggia-s, Itali

Papunësia në Foggia shkon në 25%, një nga normat më të larta të Italisë dhe afërsisht dyfishi i pjesës tjetër të Pulias. Shumë njerëz kanë vetëm punë sezonale në turizëm ose në fushat e mëdha me domate dhe grurë. Të rinjtë shpesh emigrojnë në veriun më të pasur të Italisë ose jashtë saj. Gjatë 20 viteve të fundit, popullsia e Foggia-s ka rënë me 13% nga 600.000 banorë që numëron.

Zhvatja ka qenë shtylla kryesore ndaj bizneseve lokale, deri në pikën që deri vonë, besohej se 80% e biznesit të Foggia-s e paguante “gjoën”, tha Antonio Laronga, një gjykatës i Foggia-s dhe autor i një libri për mafien lokale. Por pak njerëz kanë raportuar ndonjëherë kërkesat për të dhënë para për t’u mbrojtur në polici, thonë magjistratët.

“Ne madje zbuluam se disa sipërmarrës, kontaktuan spontanisht me autorët dhe u ofruan të paguanin”, – tha Laronga.

Por e ashtuquajtura “Mafia e Katërt” kontrabandon edhe përmes Shqipërisë pjesën më të madhe të marijuanës që hyn në Itali, vijon Laronga dhe shpesh herë ka grabitur furgona të sigurisë në autostrada të armatosur me kallashnikov.

“Mafia e Katërt” pësoi pengesa të mëdha, duke filluar në vitin 2017. Në gusht të atij viti, dy mafiozë lokalë, duke përfshirë shefin e klanit, Mario Romito, u vranë në një rrugë pranë fshatit San Marco në Lamis nga gangsterë rivalë që u ngjitën me makinën e tyre dhe u hapën zjarr me kallashnikov.

Kjo ishte e fundit në një varg vrasjesh në një konflikt midis klanit “Romito” dhe familjes rivale Li Bergolis, sipas Larongas.

Dy fermerë, të cilët panë të shtënat e gushtit dhe tentuan të iknin, u ndoqën nga vrasësit dhe u qëlluan për vdekje.

Ludovico Vaccaro, prokurori federal i Foggia-s

Vrasja e dy dëshmitarëve tronditi provincën dhe çoi në një goditje nga autoritetet italiane, duke përfshirë hetime nga prokurorët e specializuar antimafia.

Një numër i vogël mafiozësh u kthyen në informatorë, duke ndihmuar prokurorët të ndërtonin çështjen e tyre, sipas magjistratëve.

Qindra mafiozë të dyshuar u arrestuan në vitet në vijim, duke përfshirë 32 në dhjetor të vitit të kaluar, me akuza që varionin nga zhvatja dhe trafiku i drogës dhe armëve, e deri te anëtarësimi në një organizatë mafioze.

Arrestimet u dhanë më sipërmarrësve vendas më shumë besim për të raportuar përpjekjet për zhvatje vitin e kaluar, krahasuar me vitet e mëparshme, thanë prokurorët.

Por “Mafia e Katërt” po lufton. Vala e sulmeve të fundit ndaj bizneseve vendase, duke treguar një egërsi të paparë më parë, tregojnë se turma po përpiqet të rivendosë klimën e frikës që e lejoi atë të dominojë provincën për vite me radhë, thonë prokurorët dhe pronarët e bizneseve.

“Unë mendoj se kjo është një shenjë e vitalitetit të tyre”, – tha kryeprokurori i Foggia-s, Vaccaro. “Ne kemi bërë shumë presion mbi ta, por ata janë ende shumë aktivë. Jam i shqetësuar”.

Zbatimi i ligjit në Foggia ka mungesë kronike të personelit për sasinë e krimeve të kryera në zonë, shtoi Vaccaro. Ekipi i tij prej 25 prokurorësh ka nevojë për më shumë rekrutë, por është e vështirë të bindësh njerëzit të aplikojnë për punë këtu, paralajmëroi ai.

Në mesin e janarit, ndërsa sulmet me bomba dhe zjarrvënie u shtuan, Ministrja e Brendshme e Italisë, Luciana Lamorgese, mbajti një takim urgjent në Foggia me shefat e policisë lokale, prokurorët dhe pronarët e bizneseve. “Shteti duhet ta bëjë të ndihet prania e tij në një mënyrë të fortë, vendimtare dhe të bashkuar”, deklaroi Lamorgese në takim. Ajo premtoi se do të dërgonte edhe 50 oficerë policie në Foggia.

Ngjarjet që çojnë në sulme mafioze shpesh ndjekin të njëjtin skenar. Së pari, pronarët e bizneseve marrin një kërkesë për t’u mbrojtur në këmbim të parave.

Nëse ata e injorojnë ose e raportojnë atë, atëherë disa javë më vonë biznesi i tyre digjet ose sulmohet, sipas Alessandro Zito-s, president i shoqatës kundër zhvatjes në Foggia, një grup i krijuar në janar për të mbështetur sipërmarrësit.

Një parukier nga zona, tha se ai mori kërkesën e parë për një pagesë “sigurimi” prej 250,000 € në tetor. Ai e injoroi atë, duke shpresuar se ishte një shaka e hidhur. Disa ditë më vonë, ai mori një kërkesë të dytë, identike me shkrim.

Në mesin e janarit, një bombë shpërtheu në hyrje të sallonit të tij të flokëve, duke iu vënë zjarri mobiljeve dhe materialeve brenda sallonit. Rindërtimi i dyqanit do të kushtojë deri në 160,000 €, vlerësoi pronari.

Më shumë sipërmarrës kanë raportuar kërcënime nga mafiozët në polici, por shumë të tjerë zgjedhin të heshtin dhe të paguajnë “gjobën”. “Më vjen keq që e them këtë, por njerëzit këtu nuk kanë qenë shumë bashkëpunues”, tha Vaccaro.

Fermeri Lazzaro D’Auria është ndër ata që refuzojnë të përkulen para mafiozëve.

Në vitin 2017, ai ishte i vetëm në një nga fushat e tij me domate kur u rrethua nga 10 kriminelë. Gjatë dy viteve të mëparshme, kishte refuzuar në mënyrë të përsëritur të plotësonte kërkesën e mafies për një “gjobë” vjetore prej 200.000 eurosh, pranon D’Auria.

Burrat e kërcënuan se do ta dëmtonin atë dhe familjen e tij, tha ai, por e ulën kërkesën e tyre në 150,000 € në vit. Megjithatë, fermeri i ka denoncuar në polici.

Që atëherë ai ka jetuar nën mbrojtjen e policisë. Ai dëshmoi në një proces gjyqësor, ku u dënuan pesë nga mafiozët që e kërcënuan. Por kriminelët nuk e harruan atë. Gjatë gjashtë viteve të fundit, ai është sulmuar nga gjashtë bomba, 15 grabitje dhe vandalizma të makinerive të tij bujqësore.

Gjatë viteve, Lazzaro D’Auria, ka pësuar shpërthime të shumta me bomba, grabitje dhe akte vandalizmi në bizneset e tij

“Në fillim mendova të mbyllja biznesin”, –  kujton D’Auria, ndërsa tre policë civilë e vëzhgonin atë nga disa metra larg. “Por pastaj thashë me vete: pse duhet të flak në tokë gjithçka që kam krijuar në 25 vjet?”.

Në disa raste, klanet kanë sulmuar bizneset pa paralajmërim apo kërkesë për para. Prokurorët thonë se taktika të tilla janë pjesë e përpjekjeve të keqbrësve për të treguar fuqinë e tyre dhe për të rivendosur kontrollin e tyre mbi zonën.

“Të gjitha sulmet janë një vend reklamimi për të treguar se ata janë ende gjallë, ende të pranishëm, një lloj mjeti marketingu”, – sipas Larongas.

Gjykata e Foggia-s në Itali

Në raste të tjera, kriminelët “e vegjël” dërgojnë një mesazh se një sipërmarrës duhet të kontaktojë me mafien dhe të paguajë për mbrojtje. Refuzimi pasohet më vonë me zjarrvënie.

E tillë ishte përvoja e Dario Melillos, resorti i plazhit të të cilit u shkatërrua nga një zjarrvënie në fund të janarit.

I vetmi aludim i mëparshëm se mafia e kishte shënjestruar, doli verën e kaluar, kur dikush hapi vrima në rezervuarët plastikë të ujit të resortit, edhe pse ai denoncoi në polici.

“Ambicia ime e vetme ishte të isha në gjendje të punoja në mënyrë të ndershme”, – tha Melillo, mes rrënojave ende të djegura të resortit të tij në plazh. “Ky nuk është një mesazh vetëm për mua, është për të gjithë në këtë tokë”./WSJ