zoom

Bota

Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë për viktimat në Turqi dhe Siri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri.

Kështu ka njoftuar ajo në rrjetin social Facebook, ku ka shkruar se mendimet dhe lutjet e Kosovës janë për viktimat, të lënduarit dhe të gjithë të prekurit nga tërmeti.

“Përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje. Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona”, tha Osmani.

Mbi 5.000 persona raportohet se kanë vdekur, pasi një tërmet prej 7.8 ballësh goditi në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit.

Presidentja tha se Kosova është në dispozicion të plotë të vazhdojë mbështetjen e saj për këto dy vende.

Mbrëmë një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës është nisur drejt Turqisë për t’i dalë në ndihmë këtij shteti.

Veç Kosovës, edhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor u janë bashkuar shteteve nga e mbarë bota për t’i ofruar ndihmë Turqisë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se 70 shtete kanë ofruar ndihmë për shtetin e tij, pas tërmeteve shkatërruese.

Ekipe me specialistë nga vende anembanë botës janë mobilizuar për të ofruar ndihmë në operacionet e kërkim-shpëtimit në Turqi e Siri./REL