Aplikacion
Me të mbërritur te shtylla elektrike e tensionit të mesëm pranë fabrikës së vajit në fshatin Kurjan, ku banorët kishin parë shkëndija elektrike, Vlinga vendosi këmbalecët në këmbë, lidhi rripin e sigurimit dhe filloi të ngjitej.
Siç përshkruhet ngjarja në një vendim të Gjykatës së Fierit të 11 nëntorit 2019, me paditës familjarët e Vlingës dhe të paditur OSHEE, elektricisti nuk arriti kurrë në majë të shtyllës, pasi u godit nga rryma dhe humbi jetën në moshën 50-vjeçare.
“Në momentin që ka filluar të ngjitet lart, ai është goditur nga harku elektrik i rrymës elektrike të tensionit 10 kilovolt dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme,” shkruhet në vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, në padinë për “shpërblim dëmi” të depozituar nga nëna, motra dhe vëllai i viktimës.
Vlinga nuk është punonjësi i vetëm i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që ka humbur jetën në punë dhe padia e depozituar nga familjarët e tij nuk është e vetmja çështje kundër kompanisë publike të energjisë elektrike të depozituar në Gjykatën e Fierit.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimi tregojnë se vetëm gjatë dy viteve të fundit, kjo gjykatë ka dhënë 5 vendime për shkaktim dëmi si rrjedhojë e shkeljes së masave të sigurisë në punë kundër OSHEE, për të cilat kompania duhet të paguajë në total 190 milionë lekë (1.5 milionë euro).
Këto vendime, sipas ekspertëve përbëjnë një kambanë alarmi për mungesën e sigurisë në punë në kompanitë aksionere publike, të cilat shkaktojnë jo vetëm aksidente dhe viktima të panevojshme, por sjellin edhe kosto shtesë që i transferohen konsumatorëve.
“Në shoqëritë anonime publike formalisht ka punonjës apo struktura përgjegjëse për sigurinë dhe shëndetin në punë, por nuk janë funksionale,” tha Edison Hoxha, drejtor ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat në Punë.
“Në institucionet publike administrative qendrore dhe vendore, këto struktura edhe formalisht nuk ekzistojnë fare,” shtoi ai.
E pyetur për sigurinë në punë dhe vendimet e gjykatës që e gjejnë fajtore për aksidentet ku janë dëmtuar punonjësit e saj, OSHEE nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Pasiguri publike
OSHEE është një nga korporatat më të mëdha në Shqipëri me të ardhura të raportuara në vitin 2019 në vlerën e 56 miliardë lekëve [431 milionë euro].
Sipas të dhënave të siguruara nga Inspektoriati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, ISHPSHSH, nga vitit 2014 deri në vitin 2020, në sektorin ‘elektricitet, gaz dhe ujë’ janë regjistruar 28 aksidente në punë me viktima.
E pavarësisht se ISHPSHSH nuk i përcakton në raporte kompanitë ku kanë ndodhur aksidentet, në raportet e saj OSHEE veçohet si një nga shkaktaret kryesore.
“Në pjesën dërrmuese të rasteve në subjektin OSHEE”, thuhet në raportin vjetor të ISHPSHSH për vitin 2015 – një frazë që përsëritet ‘copy-paste’ edhe në raportin vjetor të vitit pasardhës.
Profesioni i elektricistit është një nga më të rrezikshmit në sektorin publik.Të dhënat e mbledhura nga BIRN nga burime të hapura tregojnë se nga janari i këtij viti, 4 elektricistë të OSHEE dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, kanë humbur jetën në aksidente në punë. Dy aksidente ndodhën në Gjirokastër dhe një tjetër me dy viktima në Fier.
Edison Hoxha nga Qendra për të Drejtat në Punë thotë se mungesa e masave formale të sigurisë është diçka që bie në sy në të gjitha kompanitë publike dhe në vetë administratën shtetërore. Ai madje shton se për shkak të statusit që kanë këto kompani, ato nuk monitorohen me kujdes nga Inspektoriatet dhe problemet me sigurinë në punë shpesh nuk korrigjohen.
“Në të dyja kategoritë – kompani dhe administratë publike, mungon monitorimi i zbatimit të sigurisë dhe shëndetit në punë nga institucionet ligjzbatuese sidomos nga Inspektoriati i Punës dhe ai Shëndetësor që përgjigjen drejtpërsëdrejti,” theksoi Hoxha.
Konstatimi i Hoxhës mbështetet edhe nga hetimet gjyqësore, si rrjedhojëe padive për shkaktim dëmi të depozituara në Gjykata e Fierit në rastet e aksidenteve në punë të punonjësve të OSHEE-së.
Madje në njërin prej vendimeve – i shpallur nga Gjykata e Fierit në 25 qershor 2020, vetë kompania publike e shpërndarjes së energjisë elektrike kërkon të shfajësohet nga barra e përgjegjësisë për dëmin, duke u mbështetur tek mungesa e kontrolleve të Inspektoriateve shtetërore.
“Nga provat që janë paraqitur në këtë gjykim, rezulton se, për këtë dëmtim nuk është mbajtur asnjë akt nga organet përkatëse ligjzbatuese apo nga ISHTI si organ që e ka detyrim ligjor të bëjë kqyrjen e vendngjarjeve në rastet e aksidenteve,” citohet mbrojtja e OSHEE-së.
Vendimi në fjalë rrjedh nga një padi për shkaktim dëmi të një elektricisti të aksidentuar në punë me 21 nëntor 2018. Elektricisti i OSHEE-së kishte hyrë në një kabinë elektrike për të bërë testimin e kabllit të tensionit të ulët që dilte nga automati, i cili furnizonte kasetën e një pallati. Gjatë punës në kabinë, ai ka rrëshqitur dhe është shkaktuar një qark i shkurtër, i cili ka sjellë shpërthimin e flakëve dhe djegjen e elektricistit në fytyrë dhe në trup.
OSHEE është munduar të fajësojë elektricitistin për aksidentin, por gjykata nuk i ka pranuar argumentet e përfaqësuesit ligjor të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike.
“Fakti që i aksidentuari ka rrëshqitur tregon qartë kushtet jo të përshtatshme teknike në të cilat ka qenë kabina,” shprehet në vendim gjyqtari Alfred Konomi.
Gjykata i Fierit i ka njohur elektricistit të dëmtuar dhë të afërmve të tij një dëmshpërblim prej 20.9 milionë lekësh.
Menaxhimi i dëmit
Edi Rama me nënën e Sabri Vinglës në kryeministri
“Sindikatat në këtë sektor ekzistojnë vetëm në letër dhe duken më shumë si trafik influencash për interesa të caktuara abuzive dhe nuk kanë asnjë impakt tek punonjësit dhe përmirësimi i të drejtave të tyre në punë,” përfundoi Hoxha. /Valbona Davidhi – BIRN
Titulli i origjinalit: Gjigandi shqiptar i energjisë humbet miliona nga mungesa e sigurisë në punë