zoom

Bota

Opozita serbe kundërshton fitoren e Vuçiç, nis grevën e urisë

Partia e Aleksandër Vuçiç u shpall fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura të dielën, por rezultati kundërshtohet nga opozita atje.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, organizoi një protestë para ndërtesës së Komisionit Zgjedhor, duke kërkuar anulimin e tyre, sipas mediave serbe.

Miroslav Aleksiç dhe Marinka Tepiç nisën një grevë urie deri në anulimin e zgjedhjeve në Beograd.

Sipas opozitarëve, procesi zgjedhor u karakterizua nga parregullsi të shumta dhe për këtë arsye duhet të përsëriten.

“Kërkojmë nga Komisioni Zgjedhor që të anulojnë zgjedhjet në Beograd, për shkak të mashtrimit dhe parregullsisë së rezultateve, për shkak të cenimit të vullnetit zgjedhor të qytetarëve të Beogradit. Do t’i dërgojmë të gjitha provat dhe materialet që kemi mbledhur gjatë ditës së djeshme, të cilat tregojnë qartë se rezultati i arritur nga partia Progresive serbe në Beograd është arritur falë njerëzve që janë sjellë për të votuar në Beograd, edhe pse nuk jetojnë atje. Kemi një situatë ku ka ardhur për të votuar ministri i Bosnjë-Hercegovinës, që është e paprecedentë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë rregullsi. Prandaj, këto zgjedhje duhet të anulohen”, tha Miroslav Aleksiç.