Aplikacion
Veç anës pozitive, rezultatet e këtij operacioni tregojnë fatkeqësisht edhe njëherë se sa e inkriminuar është policia e shtetit.
Hetimet e DIA-s italiane dhe SPAK-ut zbuluan se si drejtues e ish –drejtues të policisë kanë qenë vazhdimisht vitet e fundit aktivë në trafikun e drogës, se si në radhët e policisë vijojnë të qëndrojnë sërish ata që lejuan mbjelljen e kanabisit në çdo cep vendit dhe garantuan grumbullimin e trafikimin e tij në çdo rrugë e me çdo mjet.
Nëse nga njëra anë duhet t’i gëzohemi vënies pas hekurave të këtyre zyrtarëve dhe trafikantëve me të cilën ata kanë bashkëpunuar, nga ana tjetër është trishtuese të shohësh se si nga një hetim i vetëm i drejtuar nga ndërkombëtarët 5 nga 38 trafikantë janë policë, apo 13 % sa për statistikë.
Pikërisht në këtë anë të errët të kësaj historie do të duhej që të analizohej sot ky operacion antidrogë. Nga këtu do të duhej që kupola e policisë së shtetit të ishte mbledhur me urgjencë për të parë se çfarë ka brenda vetes.
Në vend të kesaj, kreu i policisë, Ardi Veliu, u shfaq në konferencën për shtyp me DIA e SPAK dhe tentoi t’i vishte merita policisë së shtetit për ekzekutimin e arrestimeve. Padyshim që mos-dekonspirimi është meritë për t’u vlerësuar, gjithnjë nëse policia do të ketë pasur informacion se kë dhe për çfarë po e ndalon.
Vitet e fundit, policia shqiptare është mbajtur shpesh jashtë operacioneve të mëdha kundër grupeve kriminale apo në goditjen e zyrtarëve të korrupuar. Që nga 2015, në shumë raste, forcat policore as nuk kanë pasur informacion se për çfarë ishin thirrur në operacion. Në vitin 2016, policitë locale u përjashtuan nga disa goditje anti –kanabis.
Ndryshe nga sa bëri Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, SPAK u kujdes të vinte pikat mbi “i”, për të treguar se kush e kishte drejtuar operacionin dhe cili ishte roli i gjithësecilit.
Padyshim që edhe policia do të duhet t’i gëzohet operacionit, pasi ishte pjesë e tij, por nëse vetëm nga një hetim antidrogë i DIA-SPAK u zbuluan 5 policë të inkriminuar, sa të tillë ka zbuluar vetë policia e Ardi Veliut nga radhët e saj, teksa raporte të shërbimeve sekrete shqiptare e të huaja flasin për qindra drejtues dhe efektivë të thjeshtë të implikuar në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit nga viti 2015?
Një hetim i tillë, për të nxjerrë jashtë radhëve të uniformave blu të implikuarit në trafiqe, do të duhej të ishte një proces konstant i vetë punës së policisë, çka do t’i shërbente shoqërisë sonë disa herë më shumë për ta parë në rrënjë plagën dhe për mos iu gëzuar këtyre operacioneve si dasmorët e një ceremonie ku nusja është martuar forcërisht pasi është përdhunuar. /Zoom.al
“Fatkeqësisht e humbëm betejën”, bashkëshortja e Andis Harasanit: Nuk rreshti së dhuruari dashuri