Aplikacion
Kjo nismë politike u bë sot e ditur nga vetë kreu i Grupit Parlamentar të Rithemelimit të PD-së, Gazment Bardhi. Ai e pyet kryeministrin nëse kishte dijeni për lidhjet dhe shoqërimin e të vëllait me personat e organizatës kriminale dhe për makinën që përdornin.
Me një dokument të firmosur, deputeti i drejtohet zyrtarisht me një kërkesë urgjente për interpelancë Kuvendit të drejtuar nga Lindita Nikolla. Ende nuk dihet nëse kjo kërkesë do pranohet dhe futet në rendin e ditës për diskutim, apo do bëhet “molla e sherrit” e radhës mes kampeve politike.
Pak ditë më parë Bardhi publikoi dokumente nga investigimi dhe hetimet, teksa i kërkoi SPAK të riniste hetimet për makinën që përdori në 18 raste Olsi Rama dhe miqtë e tij të Xibrakës, mes tyre edhe kreu i organizatës Genci Xhixha, të cilin e nxori ilegalisht nga kufiri para operacionit policor në vitin 2015.
Bardhi publikoi të dhënat e sistemit TIMS, fotografi dhe detaje nga dosja, ku qëllimisht nuk ishte hetuar “personi rreth 45 vjeç dhe me flokë të shkurtra”.
NJOFTIM PËR SHTYP I GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE:
“Në vijim të të dhënave të bëra publike të enjten, ku provohet dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e vllait të Kryeministrit Olsi Rama, në organizatën kriminale të Laboratorit të Xibrakës, si dhe kërkesës zyrtare të dorëzuar të premten pranë SPAK për nisjen e hetimeve penale ndaj tij dhe rihapjen e procedimit penal të pezulluar nr.335/1-2016 për identifikimin e bashkëpunëtorëve të paidentifikuar, sot Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ndërmarrë një tjetër iniciativë.
Përmes një kërkese drejtuar Kuvendit, Kryetari i Grupit Gazment Bardhi ka thirrur në një interpelancë urgjente Kryeministrin Edi Rama, në seancën e datës 4 Prill 2024.
Derisa SPAK të bëjë detyrën e vet kushtetuese, pa ndikim dhe me profesionalizëm, duke nisur hetimet dhe duke rihapur dosjen e pezulluar nr. 335/1-2016, Bardhi kërkon që Kryeminsitri Edi Rama të jap shpjegime në Kuvend për 3 cështje:
1- A ka pasur informacione nga shërbimet informative apo strukturat e Policisë së Shtetit, për shoqërimin e një familjari të tij me anëtarët e një organizate të strukturuar kriminale, apo për përfshirjen e vëllait të tij në këtë veprimtari kriminale? Nëse po, cfarë masash janë marrë. Nëse jo, a ka kryer verifikime dhe a ka kërkuar informacion, pas të dhënave të bërë publike edhe më parë?
2- A ka kërkuar dhe marrë informacion pse i vëllai, person me lidhje të forta politike, është përdorues i të njëjtit automjet me targë AA653DM, që në kohen e planifikimit dhe aktivitetit kriminal të Laboratorit të drogës në Xibrakë, përdoret nga Olsi Rama dhe 3 anëtarët e tjerë të organizatës kriminale?
3- Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë? Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës?”.
“Duke qenë se kjo çështje përbën shqetësim madhor dhe një çështje me natyrë urgjente për opozitën parlamentare, si dhe dhe në kushtet e një mungese tërësore të reagimit, veprimit apo sqarimit të rrethanave nga Kryeministri, në mbështetje të nenit 97 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë përfshirjen e kësaj kërkese për interpelancë urgjente me Kryeministrin në rendin e ditës të seancës së datës 04.04.2024”. /ZOOM.AL/