zoom

Lajme

OKB quan histori suksesi rikuperimin e sistemeve në kohë rekord dhe zbatimin e AI në Shqipëri

U mbajt në SHBA, Konferenca e Qendrueshmërisë Kibernetike për shqyrtimin e kërcënimeve kibernetike ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, organizuar nga Instituti për Kërkimin, i Kombeve të Bashkuara. Pjesëmarrëse ishte edhe Shqipëria, për më tepër pas sulmeve të pandërprera kibernetike të hakerave iraniane të vetëquajtur “Homeland Justice” ndaj institucioneve shqiptare.

UNIDIR mblodhi në New York, në datat 29 shkurt-1 Mars, përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, ekspertë, profesorë, studiues dhe hulumtues, për të diskutuar mbi tre dimensione kyçe të kërcënimeve kibernetike që mund të cenojnë vendet e botës: teknologjia, tipologjitë e sulmeve dhe aktorët e kërcënimit.

Diskutimet në nivel teknik trajtuan mënyrat se si këto sulme mund të cënojnë sigurinë ndërkombëtare dhe se si shtetet duhet të reagojnë ndaj tyre me sukses, brenda një kuadri etik dhe të përgjegjshëm në hapësirën kibernetike.

Në seancën e ditës së dytë të kësaj Konference, ishte e pranishme edhe Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj, për të ndarë përvojën e Shqipërisë në përballimin me sukses të sulmit shtetëror kibernetik, i cili synoi të fshinte të gjitha sistemet digjitale në vend.

“Reagimi i menjëhershëm ndaj sulmit keqdashës, u arrit falë bashkëpunimit me Departamentin Amerikan të Shtetit, Microsoft dhe FBI. Kërcënimet kibernetike mbeten sfidë e vazhdueshme globale, por e rëndësishme është të rrisim nivelin e mbrojtjes dhe bashkëpunimit. Ndaj, ne prej kohësh kemi ngritur Qendrën Qeveritare Operacionale të Sigurisë, strukturë e cila mbron infrastrukturat dhe sistemet qeveritare nga çdo sulm kibernetik”, u shpreh drejtoresha.

Investigimi, rikuperimi i sistemeve në mënyrën më të sigurtë dhe në kohë rekord, modernizimi dhe implementimi i inteligjencës artificiale në operacionet e përditshme, u vlerësuan nga panelistët e OKB-së,si një histori suksesi ndërkombëtare. /ZOOM.AL/