Aplikacion
“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”.
Ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime për uljen e tensioneve në rajon. O’Brien i ka bërë këto deklarata në një bashkëbisedim me gazetarët online.
Zyrtari amerikan ka thënë, po ashtu, se Serbisë i është bërë e qartë që personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 21 mars se njësite të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, dhe i ka cilësuar këto lëvizje si “provokime të qëllimshme”.
Të premten, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka quajtur deklaratat e Kurtit si pjesë e fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë. Sipas saj, forcat e ushtrisë serbe janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara.
“Vendimet e Qeverisë nuk duhet t’i varfërojnë njerëzit”
Kur ka folur për Kosovën, O’Brien ka thënë se asnjë Qeveri nuk duhet të marrë vendime që varfërojnë popullsinë. “Por, ne e shohim që në veri të Kosovës është shumë e vështirë për një numër individësh që t’i blejnë gjërat që u duhen për përditshmërinë e tyre”.
Deklarata e tij ka qenë referencë për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave në para të gatshme. Kështu, është pamundësuar përdorimi i dinarit serb.
Serbia deklaron se ndan ndihmë për serbët e Kosovës në vlerë të miliona eurove, duke u dhënë pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë. O’Brienka thënë se vetë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i ka vizituar qytetarët e veriut të Kosovës ditë më parë, për të parë nga afër situatën atje.
Ai ka thënë se SHBA-ja beson që rregullorja e BQK-së është duke u zbatuar në një mënyrë që ua vështirëson përditshmërinë qytetarëve të Kosovës. /ZOOM.AL/