zoom

Sport

“Numri 7 nuk do të thotë asgjë”, Vlahovic: Në “ADN”-në e Juventusit është vetëm suksesi

Juventus bëri një nga blerjet më të goditura në merkaton e dimrit, duke marrë nga Fiorentina, Dushan Vlahovic. Sulmuesi serb tha se mezi pret që të luajë dhe të integrohet me pjesën tjetër të grupit, dëshiron të fitojë me Juventusin dhe se fanella me numrin 7 nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë si zgjedhje:

Fiorentina – “Do të doja të falënderoja Fiorentinën. Të gjithë personat që ishin atje. Skuadrën e të rinjve dhe shokët e mi të skuadrës në ekipin e parë. Do të doja të falënderoja të gjithë nga Corvino te presidentët Dela Valle dhe Commiso. Trajnerët që jam stërvitur dhe sigurisht dhe Prandelin.”

Ndjenjat aktuale – “Jam i emocionuar dhe krenar që kam nënshkruar me klub të lavdishëm si Juventusi. Jam gati të bëj gjithçka për të arritur rezultate të shkëlqyera. Dua të falënderoj presidentin e Juventusit që më solli këtu.”

Pse Juventus? – “Zgjedhja ishte e lehtë. Në ADN-në e Juventusit ka vetëm fitore dhe kurrë nuk dorëzohet, duke shkuar deri në fund. Edhe mentaliteti im është ky.”

Numri 7 – “Numri 7 për mua nuk përfaqëson asgjë, e zgjodha sepse është më i afërti me 9-shin që nuk ishte i lirë.”

Ambientimi – “Dua të futem sa më shpejt në skemat e trajnerit dhe t’i bashkohem grupit, duke u bërë miq me shokët e skuadrës. Unë dua të jem në një familje me stafin dhe drejtuesit e Juventusit, gjithashtu mendoj se është thelbësore të kemi një grup të bashkuar për të arritur rezultate.”

Stërvitja individuale – “Futbolli sot është në një nivel ku çdo detaj bën diferencën. Po përpiqem të përmirësoj veten nga të gjitha këndvështrimet dhe kur është e mundur. Po mundohem të punoj edhe mendërisht, nuk them që stërvitem 24 orë, por mendoj shumë për futbollin.”

Juventus – “Është klubi më i madh në Itali dhe jam i lumtur që jam këtu. Dëshira për t’u përmirësuar gjithmonë me objektiva shumë të larta më ka tërhequr gjithmonë te bardhezinjtë dhe për këtë arsye jam i lumtur që jam këtu.”

Presioni i numrit 7 – “Të gjitha fanellat e Juventusit peshojnë. Unë jam këtu për të ndihmuar ekipin dhe për të vënë veten në dispozicion për të arritur objektivat. Nuk ka rëndësi numri i fanellës, si shkojmë në fushë dhe me çfarë vendosmërie e bëjmë. Pjesa tjetër nuk më intereson shumë.”

Këshilla e miqve – “Po, kam folur me Chiesa-n, kam një marrëdhënie të mrekullueshme me të. Më vjen keq që u lëndua, por ne do ta presim dhe mezi pres të luaj me të dhe me të gjithë shokët e mi.”

Përgjegjësitë – “Duhet të jem gati menjëherë, nuk kam asnjë justifikim sepse ajo që ka rëndësi këtu është fitorja.”

Allegri – “Bëra disa stërvitje, por nuk folëm për taktikat. Ai më priti shumë mirë dhe mezi pres të luaj.”

Frymëzimi – “Nuk është koha për të pasur idhuj për t’u frymëzuar, por për të pasur rrugën time për t’u bërë një lojtar i madh. Me shumë punë mund ta bëj.”

Moduli ideal – “Unë jam në dispozicion të trajnerit dhe bëj atë që më kërkon ai. Nuk kam probleme apo preferenca, përshtatem me skemat që do të kërkojë trajneri.”

Lider i skuadrës – “Ka shumë në këtë ekip. Unë thjesht dua të futem sa më shpejt në dinamikën e grupit. E vetmja gjë që ka rëndësi është të fitosh.”

Dybala – “Nuk e kam takuar ende sepse është në kombëtaren e Argjentinës. Ai është një lojtar i madh, por do të jetë në dorën e trajnerit të zgjedhë se si do të luajmë. Jam gati dhe i gatshëm të bëj gjithçka, këtu ka shumë kampionë edhe në sulm.”

Problemet e Juventusit – “Nuk ka asnjë lojtar në botë që mund të zgjidhë ndeshjet vetë. As që dua të mendoj se jam këtu për të zgjidhur problemet i vetëm, është ekipi që duke punuar së bashku mund të bëjë mirë dhe të fitojë.”

Do të jetoni në shtëpinë e dikurshme të Ronaldos? – Unë jam duke kërkuar për një shtëpi.”, përfundoi Dushan Vlahovic.