Aplikacion
Gjykata e Apelit të Posaëëm vendosi të shpallë fajtor dhe lërë në fuqi dënimin për Fredi Belerin, me dy vite burg, për blerje votash në zgjedhjet e 14 majit 2023, ku u zgjodh edhe fitues.
Ndërkohë, Pandeli Kokaveshi mësohet se u dënua me shërbim prove, si bashkëpunëtor apo ndërmjetës.
Beleri është dënuar në lidhje me akuzën e korrupsionit në zgjedhje, ndërkohë që tashmë është edhe eurodeputet, pasi u zgjodh nën siglën e “Nea Demokracia” për zgjedhjet në Parlamentin Europian.
Ai i mohoi akuzat, duke e cilësuar procesin si politik dhe të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama. Por kërkesat e tij dhe avokates u rrëzuan sot, duke u lënë në fuqi vendimi i shkallës së parë. Duke konsideruar llogaritjet e paraburgimit, Belerit i kanë mbetur edhe pak muaj nga lirimi, teksa nuk e merr më dot mandatin e kryebashkiakut.
Njoftimi i GJKKO:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 25.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 32 akti, datë 08.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehur Dh.A.B. dhe P.K., kundër vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
1.Deklarimin fajtor të të pandehurit P.K., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
2.Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin P.K. në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.
3.Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehurit P.K. me vendimin nr. 19, dt. 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
4.Deklarimin fajtor të të pandehurit Dh.A.B., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
5.Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dh.A.B., fillon nga dita e arrestimit të tij dt. 12.05.2023 dhe të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
6.Në zbatim të nenit 190/1 germat “a” dhe “ç” të K.Pr.Penale, në lidhje me provat materiale të sekuestruara për llogari të këtij procedimit penal, Gjykata disponon si më poshtë:
-Një CD-R Maxell mbi të cilën është shënuar me shkrim dore “Komisariati Himare Dt. 10.05.2023”, një DVD-R mbi të cilën është shënuar shkrim dore “Komisariati Himarë Dt.11.05.2023”, DVD+RW” EMTEC, mbi të cilën është shënuar me shkrim dore “Proc. Nr. 489 dt. 08.09.10.11 i 5 – 2023 Himarë. Vlorë, të qëndrojnë në dosje.
-8 (tetë) kartëmonedha të prerjes 5.000 lekë, të konfiskohen dhe kalojnë në favor të shtetit.
-Aparat celular i llojit “RedMi”, ngjyrë e zezë, i përdorur nga i pandehuri P.K., të konfiskohet dhe kalojë në favor të shtetit.
-Aparat celular i llojit “Iphone” me ngjyrë të zezë, me mbrojtëse plastike me ngjyrë të zezë, i përdorur nga i pandehuri Dh.A.B., të konfiskohet dhe kalojë në favor të shtetit.
-Pajisje DVR e markës “Dahua”, numër serie SN 6J001308PA213DF64, sekuestruar shtetases E.S., ti kthehet kësaj shtetaseje.
-Aparat celular i llojit “Iphone 11 Pro Max”, ngjyrë e zezë, me veshje të jashtme plastike të kuqe, në gjendje të fikur, me IMEI: ***, i përdorur nga dëshmitari A.R., ti kthehet këtij shtetasi.
-Një qese plastike, ngjyra e bardhë, me mbishkrime me ngjyrë të gjelbër, brenda së cilës gjenden: – një faturë tatimore e subjektit me NIPT ***, e datës 11.05.2023, një faturë tatimore me shkrim në gjuhën Greke, me vlerë 27,00 EUR, dy tollona nafte 10 litra dhe dy tollona nafte 5 litra të karburant “***”, dy blloqe të vegjël shënimesh me fletë me ngjitëse me ngjyrë përkatësisht rozë dhe jeshile. Një kartë e re celulari sim Vodafone, në paketim letre, me numër ***, katër fletë letre me mbishkrime në gjuhën greke, të kapura së bashku, një kartë vizitë me shkrimin Laptop service, një portofol material lëkure brenda së cilit gjendet: një dokument me fotografi i plastifikuar, me shkrim në gjuhën Greke; një kartë debiti e bankës “Alpha Bank” me numër ***; një kartë debiti e bankës “NBG” me numër ***; një dokument me fotografi material plastik me mbishkrimin “Omonia” dhe me numër ***; dy karta plastike me mbishkrimin përkatësisht “***” dhe “***” si dhe tetë kartëvizita të tjera, sende këto të sekuestruara gjatë kontrollit të të pandehurit P.K., t’i kthehen këtij të fundit.
7.Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit në shumen totale 166.920 (njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit përkatës, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare.
8.Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet e gjykimit në apel, i ngarkohen solidarisht të pandehurve P.K. dhe Dh.A.B”. /ZOOM.AL/
Mosbindja civile/ Procedohen deputetët e opozitës: Goditje për shkak të detyrës dhe … (Emrat)