Aplikacion
“Me satelitët nuk do të ketë më mundësi që të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin sepse satelitët kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur në sipërfaqen e tokës, me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 cm”, deklaroi Rama.
Po ta dëgjojë këtë deklaratë dikush që nuk jeton në Shqipëri, do të mendojë se shqiptarët po ndërtojnë ferrave e nëpër pyje për arsye të ndryshme. Por jo! Ndërtimet pa leje, me qeverinë Rama po i shohim në qendër të Tiranës.
Për shembull, “Syri i Tiranës”, i biznesmenit Armand Lilo të kompanisë “Arlis Ndërtim”, është mu në sheshin Skënderbej. Është 32 kate nga 26 që duhet të kishte. A nevojitet ndonjë satelit për ta kontrolluar biznesmenin e lidhur me Erion Veliajn dhe Fatmir Xhafën?
Shefqet Kastrati ka ndërtuar 5 kate pa leje, sipas Gazmend Bardhit, në ndërtesën e tij në fillim të rrugës së Elbasanit. Pallati i tij është 42 kate i lartë. Edhe për këtë duhen satelitë?
Lul Morina ndërtoi një pallat 7 katësh pa leje. Pëllumb Salillari një kompleks 9 katësh, pa asnjë leje.
Çfarë satelitësh duhen për t’i parë këto përbindësha, në një kohë kur inspektorët ndërtimorë apo policët shohin edhe dritaret pa leje të Bojken Lakos apo avllitë e qytetarëve të thjeshtë?
Për pallatin e Kastratit mjafton që inspektorët dhe vetë Rama të dëgjonin Gazmend Bardhin apo mediat që e pasqyruan fjalën e tij.
Edhe për Armand Lilon, Salillarin e Lul Morinën, mjafton që Rama dhe e gjithë qeveria të hapnin sytë dhe veshët për të parë dhe dëgjuar informacionet që publikoheshin sa në media apo që u shkonin në sms e portale qeveritare.
Shqipëria nuk ka nevojë për “Kryeinspektoriat” në qiell. As për ndonjë kryeinspektore që bën zhurmë me dy pishina në Golem. Ajo ka nevojë për një kryeministër që sheh e dëgjon qytetarët e ndershëm të këtij vendi kur ia tregojnë me gisht aktet kriminale të klientëve të vet.
Rama mund t’i ngrejë satelitët në qiell, se janë shqiptaërt që i paguajnë kostot. Por puna është që ato që do t’i shohin satelitët, shqitparët i kanë parë me kohë. Shqiptaërt panë avionët e drogës, që Rama i quante mushkonja, panë parcelat me kanabis në katër anët e vendit që vetëm Rama dhe qeveria e tij nuk i shihte. Çfarë ndryshimi do të ketë nëse i shohin satelitët kur ai sërish do të bëjë siç ia thotë mendja dhe do të shohë vetëm kur ia do interesi?
A na duhen satelitët që ai të zbatojë Kodin Penal për ndërtuesit që kanë ngritur kate pa leje në qendër të Tiranës? Nevojitet që ai të kërkojë zbatimin e ligjit, për t’i çuar para drejtësisë ata, jo t’i amnistojë me VKM apo t’i trullosë shqiptarët me përralla hapësinore. /Zoom.al