zoom

Ekonomi

Njohja e pensioneve nga Italia, si do të funksionojë dhe sa vite punë u duhen shqiptarëve

Marrëveshja Shqipëri-Itali për njohjen e pensioneve do të prekë 500 mijë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali dhe pothuajse 4.000 italianë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri.

Marrëveshja që po shqyrtohet në komisionet ndërparlamentare, u prezantua nga zv.ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani, e cila sqaroi se me miratimin e saj qytetarëve do t’u njihet çdo ditë punë, pavarësisht se ku ka punuar dhe fitimi do të eksportohet. Periudhat e punësimit do të mblidhen bashkë për të përfituar pension të pjesshëm ose të plotë.

Kreu i Institutit të Sigurimeve, Astrit Hado tregoi konkretisht se si do të funksionojë skema.

“Kur një individ i ka plotësuar vitet e punës, nuk ka nevojë për bashkim periudhash. Kur një i plotëson 15 vjet në Shqipëri dhe 20 në Itali, përsëri e merr. Kur ka 15 vjet në Shqipëri dhe 8 vjet në Itali, atje se merr dot. Atëherë bashkohen periudhat, por duhet të keni parasysh. Askush nuk do të marrë pension minimal, por në bazë të kontributeve. N.q.s ka 12 vite në Shqipëri dhe 12 në Itali, bëhen 24 vjet dhe merr dy pensione që bazohen mbi 12 vitet e punës këtu dhe 12 atje dhe jo sikur ka 24 vite punë në një vend”, shpjegoi Hado në komisionin e Ligjeve.

Objekt i marrëveshjes, tha zv.ministrja e MEKI, janë sigurimi i pleqërisë, invaliditetit, sëmundjeve, barrëlindjeve, papunësisë etj.

Pyetur nga deputetja e PD-së, Dhurata Çupi, e cila tha se opozita do ta votojë këtë nismë, zv.ministrja Manjani njoftoi se marrëveshja me Greqinë është ende pezull në pritje të konfirmimit nga pala greke.

“Me Greqinë kemi bërë dy raunde bisedimesh në nivele teknike. Ne jemi ende në pritje të palës greke për të konfirmuar fillimin e negociatave. Kjo kërkon dhe shumë vullnet politik nga Greqia dhe sigurisht do të jetë ndër marrëveshjet më kryesore të Shqipërisë”, u shpreh Manjani. Ajo shtoi se ekspertët e ministrisë po shqyrtojnë propozimin për minimumin jetik që në rast miratimi prek edhe pensionet. Por ende nuk ka një konkluzion.

Komisioni për Politikën e Jashtme dhe ai i çështjeve Ligjore, miratuan marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Italinë.