zoom

Bota

Njihuni me heroinën izraelite! Vrau e vetme 5 terroristë të Hamasit dhe shpëtoi qindra banorë

Mes luftës e bombardimeve, Inbar Lieberman po përflitet në të gjithë Izraelin për heroizmin e saj.

Vetëm 25 vjeçe, ajo, sipas “New York Post”, ia arriti të parandalojë futjen e militantëve të Hamasit në Kibbutz Nir Am (1.5 km larg Rripit të Gazës), ku drejton ekipin e saj ushtarak.

25-vjeçarja, referuar mediave të huaja, dëgjoi shpërthimet dhe kuptoi që po ndodhte një sulm ushtarak i mirëorganizuar. Në këto momente, ajo mobilizoi ekipin e saj prej 12 anëtarësh.

Inbar filloi t’i shpërndante armë dhe më pas i vendosi ushtarët në mënyrë strategjike.

Ajo po ashtu ngriti kurthe për teroristët e Hamasit në momentin që do tentonin të pushtonin zonën.

“Ishte e mrekullueshme, burri im ishte pjesë e ekipit të gatishmërisë. Ata dëgjuan të shtënat, kontaktuan anëtarët e tjerë të ekipit dhe Inbar, fillimisht iu tha të ishin në gatishmëri. Fakti që ata u mobilizuan herët, parandaloi dhjetëra viktima”, tha një banore.

Sipas “Daily Mail”, Inbar vrau pesë terroristë e vetme, ndërsa në total ekipi i sigurisë neutralizoi më shumë se 20 persona të armatosur të Hamasit, në një betejë që zgjati rreth katër orë.

Pas betejës së përgjakshme, militantët e Hamasit u tërhoqën, pa mundur të pushtonin Nir Am.

Njerëzit në Izrael kërkojnë që 25-vjeçarja të shpallet heroinë kur të mbarojë lufta.

“Kur të ketë mbaruar lufta, kjo grua duhet të marrë çmimin e Izraelit. Historia e saj heroike do të shoqërojë disa breza. Inbal është arsyeja pse Kibbutz dhe zona përreth Nir Am u mbrojt”, raportoi Maariv Daily.