zoom

Politikë

Një tjetër kryebashkiak socialist në gjyq për aferë me votat, SPAK çon Memollën në GJKKO

Bashkia e Rrogozhinës duket se po “ha” kryebashkiakët dhe shkak janë implikimet e zyrtarëve në fushatë për presione në këmbim të votave apo ndërhyrje. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi sot se ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i sapozgjedhur më 14 maj, dhe tre personave të tjerë të akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Vendimi i SPAK pak ditë pasi Memolla u mor në pyetje në lidhje me akuzat e ngritura. SPAK thekson se nga hetimet është provuar se Memolla, në zgjedhjet e parakohshme të 6 marsit të vitit të shkuar, ndikoi tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij.

Njoftimi zyrtar i SPAK më poshtë:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr.57 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve :

Edison Memolla me detyrë Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 328-25 i K. Penal;

-Ndriçim Tafxhafa, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal;

-Blerim Xhamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328-25 dhe 186 paragrafi 2 të Kodit Penal;

-Isuf Tosku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” kryer në  bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi 2 i Kodit Penal.

Ky procedim penal është regjistruar pas transmetimit në rrjetet televizive të një regjistrimi audio, ku shtetasi Edison Memolla – kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, ndikon tek shtetasi Blerim Xhamani–elektriçist pranë FSHU (Furnizuesi i Shërbimit Universal) Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022.

Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar dhe është  provuar se i pandehuri Edison Memolla, kandidat për Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë, në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, ndikon tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 06.03.2022, si dhe komunikon me të pandehurin Blerim Xhamani, për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.

I pandehuri Ndriçim Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datë 06.03.2022. Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor”. /ZOOM.AL/