zoom

Lajme

Një tjetër deputet i PD-së tërhiqet nga Primaret e PD-së/ Ferdinand Xhaferri kundër Berishës: Ky model më shumë e dëmton opozitën

Pas Helidon Bushatit, një tjetër deputet i PD tërhiqet nga gara e primareve të PD-së. Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferri njoftoi se nuk do të marrë pjesë në Primare.

Xhaferri tha se arsyeja e mos marrjes pjesë në primare lidhet me qendrimet e tij, kundër këtij procesi, që sipas demokratit nuk bashkojnë, por përçajnë më shumë opozitën.

“Kam qenë që në krye të herës kundër këtij modeli primaresh që më shumë e dëmtojnë sesa ndihmojnë opozitën“, është shprehur ai, citojnë mediat.

Xhaferri bëhet i dyti deputet, që heq dorë nga primaret pas Helidon Bushatit i cili njoftoi dje tërheqjen e tij nga gara për ligjvënës, për një mandat të ri në zgjedhjet e 11 majit.

Primaret në Partinë Demokratike duket se kanë shkaktuar jo vetëm paqartësi, por edhe reagime me tërheqje nga gara dhe më herët deri pakënaqësi nga deputetë dhe drejtues strukturash. Por pas vendimit të fundit për rregullat dhe garën në to, vjen një tjetër tërheqje.

Po dje njoftoi tërheqjen nga Primaret edhe anëtari i Kryesisë, njëkohësisht Sekretar për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha, duke u shprehur se “pas një reflektimi vendosi të mos garojë” dhe se “është koha për një angazhim të ri”.

Postime të lidhura