zoom

Bota

Një javë luftë – Ushtria izraelite hyn në Gaza, shënjestron korridoret nëntokësore të Hamasit

Lufta mes Izraelit dhe grupit terrorist Hamas sa vjen dhe bëhet më e përgjakshme. Të paktën 3.200 persona kanë mbetur të vdekur, ndërsa më shumë se 11.000 të tjerë janë plagosur nga të dyja palët. Po ashtu, mbi 1.300 ndërtesa janë shkatërruar nga bombardimet në Rripin e Gazës.

Pas kryerjes së bastisjeve në Gaza, zëdhënësi ushtarak izraelit ka thënë se janë zbuluar trupa dhe sende që dyshojnë se u përkasin pengjeve të marrë nga Hamasi. Çdo kalim nga Gaza në Egjipt do të koordinohet me Izraelin.

Sulmet tokësore izraelite raportohen të jenë shënuar kryesisht në Gazën Veriore dhe Bregun Perëndimor. Nga ana tjetër, palestinezët vijojnë të braktisin banesat e tyre duke iu bindur urdhrit të Izraelit që popullsia të largohet drejt pjesës jugore. Ky urdhër vjen pavarësisht paralajmërimeve të Kombeve të Bashkuara se një eksod i tillë mund të ketë pasoja fatale.

Teksa ka bërë thirrje për evakuim, ushtria izraelite njofton se është duke planifikuar që të shënjestrojë korridoret nëntokësore të Hamasit rreth qytetit të Gazës. Sulmi tokësor i izarelit pritet të jetë edhe më i përgjakshëm.

Nga ana e tyre, militantët e grupit Hamas i bëjnë thirrje popullsisë në Rripin e Gazës të mos i binden urdhrit të izraelitëve, ndërsa breshëri raketash janë hedhur drejt Izraelit Jugor. Shefi i Politikës së Jashtme të BE, Joseph Borrell ka deklaruar se bota ka dështuar në përpjekjet për të vendosur një zgjidhje mes Izaraelit dhe Palestinës .