zoom

Bota

Një i vdekur nga gripi i shpendëve, i moshuari u shtrua në spital me shenja të rënda

Një person në Luiziana, i cili ishte shtruar në spital me simptoma të rënda respiratore, ka vdekur të hënën, duke u bërë personi i parë që vdes nga gripi i shpezëve në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët shëndetësorë në këtë shtet njoftuan për vdekjen e këtij personi të hënën, ndërsa Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve konfirmoi se ky është rasti i parë i vdekjes nga gripi i shpezëve.

Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se personi ishte mbi 65-vjeçar, kishte probleme të mëparshme shëndetësore dhe kishte qenë në kontakt me shpezë të sëmurë dhe të vdekur në një tufë shpendësh në oborrin e tij. Ata gjithashtu thanë se analiza gjenetike tregoi se virusi i gripit të shpezëve kishte pësuar mutacion brenda pacientit, çka mund të ketë çuar në një sëmundje më të rëndë.

Ata nuk kanë dhënë hollësi të tjerë rreth këtij personi.

Që nga muaji mars, janë raportuar 66 infeksione të konfirmuara me gripin e shpezëve në SHBA, por sëmundjet e mëparshme kanë qenë të lehta dhe shumica e rasteve janë zbuluar mes punonjësve të fermave të ekspozuar ndaj shpezëve të sëmura ose lopëve të qumështit.

Një vdekje nga gripi i shpezëve nuk ishte e papritur, thanë ekspertët e virusit. Ka pasur më shumë se 950 infeksione të konfirmuara me gripin e shpezëve në mbarë botën që nga viti 2003, dhe më shumë se 460 nga këta njerëz kanë vdekur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Virusi i gripit të shpezëve “është një kërcënim serioz dhe historikisht ka qenë një virus vdekjeprurës”, tha Jennifer Nuzzo, drejtoreshë e Qendrës për Pandemitë në Shkollën e Shëndetit Publik në Universitetin Broën.

Në një komunikatë, zyrtarët e përshkruan vdekjen në Luiziana si tragjike, por gjithashtu thanë se “nuk ka ndryshime virologjike shqetësuese që po përhapen aktivisht te shpezët e egra, shpezët e fermave ose lopët që do të rrisnin rrezikun për shëndetin e njeriut”.

Në dy nga rastet e fundit në SHBA – një i rritur në Misuri dhe një fëmijë në Kaliforni – zyrtarët shëndetësorë nuk kanë arritur të përcaktojnë se si ata e morën virusin. Origjina e infeksionit të personit në Luiziana nuk është konsideruar mister. Por, ky ishte rasti i parë i infektimit të njeriut në SHBA që lidhet me ekspozimin ndaj shpezëve në oborr, sipas tyre.

Gripi i shpezëve H5N1 përhapet gjerësisht te shpezët e egra, shpezët e fermave, lopët dhe kafshë të tjera. Prania e tij e madhe në mjedis rrit mundësinë që njerëzit të ekspozohen dhe potencialisht të infektohen, kanë thënë zyrtarët.

Zyrtarët vazhdojnë të këshillojnë ata që kanë kontakt me shpezë të sëmura ose të vdekura, të marrin masa paraprake, përfshirë përdorimin e mbrojtjes respiratore dhe syze mbrojtëse dhe doreza kur trajtojnë shpezët./ Radio Evropa e Lirë

Postime të lidhura