zoom

Aktualitet

Një ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit, socialisti Jurgis Çyrbja merret i pandehur nga SPAK

Një ditë pasi dorëzoi mandatin e deputetit, socialisti Jurgis Çyrbja është marrë i pandehur nga SPAK.

Ish-deputeti i PS-së ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme rreth orës 09:55 dhe doli nga ambientet e organit hetues pas rreth 30 minutash.

Mësohet se iu është komunikuar akuza e shpërdorimit të detyrës dhe është marrë si person nën hetim.

“Mund t’i drejtohemi SPAK për informacione të mëtejshme. Faleminderit, mirë u pafshim”, u tha ai gazetarëve.

Ai dorëzoi mandatin ditën e djeshme (10 tetor) dy ditë pasi u mor në pyetje në SPAK për herë të parë.

Për mediat, socialisti deklaroi se nuk është marrë i pandehur, ndërsa nuk komentoi asnjë pyetje tjetër nga gazetarët.

Socialisti u paraqit për një kallëzim të Edi Palokës, për kohën kur Jurgis Çyrbja ka qenë drejtor Hipoteke.

Ish-deputeti socialist u kallëzua në SPAK nga Partia Demokratike ne vitin 2021 për “shpërdorim detyre”.

“Çyrbja, ish-drejtor i Hipotekës Durrës, akuzohet për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje prone”, ka deklaruar në vitin 2021, Edi Paloka.

Kujtojmë që pak vite më parë, konkretisht në 2017, Çyrbja u denoncua nga opozita, si person që rezultonte i ‘përfshirë’ në çështjen e Emiljano Shullazit.

Jurgis Çyrbja, deputeti aktual i Partisë Socialiste, ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës kur Shullazi ka marrë Hotel Vollgën.

Çyrbja ka dëshmuar në vitin 2017 në seancën ndaj Shullazit dhe grupit të tij që akuzohen për gjobëvënie, duke folur për lidhjet e tij edhe me biznesmenin Ylvi Beqja.

Në atë kohë  opozita reagoi ashpër duke kërkuar arrestimin e deputetit socialist, Jurgis Çyrbja.