zoom

Aktualitet

Një dekadë në pritje! Burokracia bllokon shpronësimet e projektit Veliera

Ndërtimi i sheshit publik në hyrje të portit detar në Durrës thuajse ka përfunduar, por familjet që janë shpronësuar për të mundësuar ngritjen e tij ende nuk janë kompensuar financiarisht.

Projekti i shumëpërfolur i sheshit, i njohur më së shumti me emrin Veliera, ka nisur të realizohet në vitin 2016 dhe vetëm në 5 vitet e para, shuma e shpenzuar për të arriti në 9 milionë euro, ose afro dy herë më shumë sesa vlera e parashikuar.

Ndërkaq, dy grupe me 8 familje trashëgimtarësh gjithsej nuk kanë përfituar ende shumën që u takon.

Mungesa prej afro 10 vitesh e një vendimi të qeverisë (VKM) e ka bërë të pamundur lëvrimin e shumës së përcaktuar për kompensimin e tyre, me vlerë të përgjithshme prej 13,5 milionë lekësh.

Megjithëse vlera e realizimit të projektit “Veliera” është shumë herë më e madhe sesa ajo që pushteti lokal ka përcaktuar për familjet, këto të fundit vazhdojnë të enden nëpër zyra në pritje të kompensimit.

Stefan Herczegh, një nga pjesëtarët e familjeve në pritje të shumës, tha për BIRN se, megjithëse zona kadastrale ku shtrihej prona e tyre ka një çmim më të lartë të truallit, familjarët e tij kanë pranuar të shpërblehen me shumën e përcaktuar nga Bashkia e Durrësit 9 vjet më parë.

“Interesimi ynë i vazhdueshëm ka marrë gjithmonë përgjigje burokratike,” tregon Stefani, duke sjellë në vëmendje korrespondencën disavjeçare me Bashkinë.

Këshilli Bashkiak ka vendosur 9 vjet më parë vlerat financiare që u takojnë familjeve pronare të sipërfaqeve që u shpronësuan për projektin.

“Dy vjet më parë, Bashkia na u përgjigj se ende nuk është publikuar VKM-ja për shpronësim, ndërsa më parë kjo mangësi u justifikua me dëmet e shkaktuara nga tërmeti,” tha z. Herczegh.

“Një herë tjetër, Bashkia shkroi se vlera e kompensimit do të alokohet brenda vitit 2022,” shtoi ai.

Pas kërkesës së BIRN, Bashkia e Durrësit vuri në dispozicion një mori shkresash që ajo ka prodhuar për problematikën e shpronësimeve në zonën e projektit, të gjitha të vitit 2016, kur ende nuk kishin filluar punimet për realizimin e Velierës.

Bashkë me to, BIRN disponon edhe një sërë skicash të vendndodhjeve të pronave të shpronësuara, me një sipërfaqe të përgjithshme prej 387 metrash katrorë, pranë Torrës Veneciane, një nga objektet e pakta që vazhdon të jetë një pikë referimi e përhershme në qendër të qytetit bregdetar.

Fatmir Karagjozi ka pasur një dyqan funksional pranë Torrës, deri kur u shpronësua për t’i hapur vend projektit për rivitalizimin e sheshit në hyrje të portit detar.

“Sipërfaqja e përgjithshme e pronës sime, truall dhe dyqan së bashku, arrinte në 99 metra katrorë,” tha Fatmiri për BIRN.

Pesë vjet më parë, ai hoqi dorë nga ecejaket në Bashki dhe iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë në Durrës.

“Por rezultati vazhdon të jetë i njëjtë,” shprehet i pezmatuar Fatmiri.

Një numër i pafund seancash janë zhvilluar që nga viti 2019, ndërsa çështjen e kanë marrë në dorë tre gjyqtarë të ndryshëm për shkak të procesit të vetingut në drejtësi.

Fatmir Karagjozi i ndjek rregullisht seancat gjyqësore, por ka bindjen se për kompensimin real do të duhet jo pak kohë.

Edhe Stefan Herczegh i shkruan vazhdimisht zyrave përkatëse në Bashkinë e Durrësit, por përgjigjet nuk ndryshojnë.

“Para disa vitesh, unë, në emër të trashëgimtarëve, iu drejtova Gjykatës, por më kërkuan disa dokumente që Bashkia nuk i vuri në dispozicion,” thotë Herczegh.

Ndërsa punimet për finalizimin e projektit të Velierës vijojnë, familjet e përfshira në procesin e kompensimit vazhdojnë pa sukses ecejaket në institucione.

“Në Bashki apo në gjykatë qoftë, unë kam shumë pak besim se do t’i marrim shumat e parave që na takojnë,” përfundoi Stefani./BIRN

Postime të lidhura