zoom

Aktualitet

Nisin punimet/ Ura që lidh Velipojën me Ulqinin, gjithçka rreth këtij projekti

Në kufirin ndarës mes Velipojës dhe Ulqinit, në zonën e quajtur ndryshe “Derdhja e Bunës” pas pak ditësh do të nisë zyrtarisht puna për ndërtimin e urës së re që do të lidhë Velipojën me Ulqinin.

Ky projekt u prezantua gjatë Ballkanit të Hapur mes kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazoviç.

Kjo urë do të shërbejë për të lidhur dy vendet, Shqipërinë dhe Malin e Zi në një distancë e cila ishte më parë 74 kilometra dhe tashmë do të jetë më pak se 1 kilometër

.

Gjatësia totale e urës do të jetë 310 metra dhe hapësira mes dy këmbëve mbajtëse do të jetë 139 metra. Me një gjerësi prej 17 metrash, ura do të ketë dy korsi trafiku nga 3,75 metra secila, dy trotuare nga 2 metra secili dhe dy korsi për biçikleta nga 1,25 metra secila.

Kjo urë  do të lidhë 34 kilometra plazhe me rërë, të cilat vizitohen nga rreth 530 mijë turistë në vit.

Për sipërmarrësit në zonën e Ada Bujanës në Ulqin, një investim i tillë është do të nxisë turizmin dhe do afrojë shqiptarët me njëri-tjetrin.

Kryeministri Rama rreth një javë parë teksa ndodhej në Ohër në kuadër të samitit për “Open Balkan”, sqaroi se në gusht përfundon projekti i detajuar, ndërsa theksoi se kjo është fryma e “Ballkanit të Hapur”.

“Ky është projekti dhe në fund do të përfundojë i detajuar. Pas projektit të detajuar do të ulemi sëbashku menjëherë. E kam fjalën Fondi Shqiptar i Zhvillimit me agjencinë tuaj. Kjo është fryma e Ballkanit të Hapur. Pres me padurim të vij t’ju vizitoj në Malin e Zi me shpresë brenda korrikut dhe në gusht për t’ju dorëzuar projektin”, tha Rama.

Ndërkaq, kryeministri malazez Dritan Abazoviç u shpreh i lumtur për projektin. Sipas tij ndërtimi i kësaj ure do të sjellë zhvillim për të dy qytetet në dy anët e Bunës.

“Jam shumë i lumtur për këtë projekt. E kemi diskutuar në Tiranë verën e kaluar dhe tani jemi shumë pranë fillimit të punës konkrete. Kjo zonë mund të jetë një zonë shumë tërheqëse turistike në të ardhmen. Do të jetë njësoj për turistët siç shkojmë ne në pjesë të tjera të Evropës. Kjo do ta lehtësojë shumë qasjen e turistëve. Kjo është mënyra sesi ne mund ta zgjidhim problemin e trafikut pranë Shkodrës. Do të jetë shumë mirë.

E thjeshtë. Është shumë irracionale që dikush nuk e ka bërë më parë. me këtë urë do të kemi shumë efekte pozitive në të dyja anët dhe ndërlidhshmëria midis dy vendeve të jetë e madhe. Ura dëshmon që nuk jemi vetëm Ballkan i Hapur, por në një fazë e re. Kjo është një urë që do të përdoret nga shumë njerëz që do të vizitojnë dy vendet tona”, u shpreh Abazoviç.

Viti 2024 pritet të jetë dhe afati i përfundimit të kësaj ure ndërsa përkon edhe me përfundimin e rrugës lidhëse me Shëngjinit dhe Velipojës duke përmbushur një korridor të rëndësishëm strategjik për turizmin si ai Shëngjin-Velipojë-Ulqin me një distancë optimale për turistët dhe me një rrugë panoramike përgjatë detit.