zoom

Rajoni

Nis fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, 7 kandidatë në garë

Ka nisur ditën e djeshme fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Shtatë kandidatët për president kanë prezantuar sot programin e tyre, ndërsa disa kanë realizuar edhe takime me qytetarët.

Stevo Pendarovski e nisi fushatën me hapjen e Shtabit Qendror. Në korniza të këtyre 20 ditëve të fushatës deri në raundin e parë zgjedhor, Pendarovski thotë se do t’i vizitojë të gjitha komunat dhe do të realizojë 65 takime me qytetarët.

OBRM-PDUKM dhe partitë e koalicionit që udhëheqin fushatën për zgjedhjet presidenciale kanë nisur me një tubim para ndërtesës së Qeverisë. Në fjalimin e tij në tubim, kandidatja për presidente Gordana Siljanovska Davkova tha se duhet të respektohen vlerat themelore të rendit kushtetues.

“Në çdo marrëdhënie me vende më të mëdha se ne, edhe me aleanca si BE-ja, ne evropianët e vërtetë kemi detyrimin të kujtojmë vlerat themelore, sepse pa to nuk ka as demokraci, as prosperitet, as paqe. Nuk shkon në Evropë me retorikën e BE-së, NATO-s, NATO-s në BE. Jo, por duke i respektuar vlerat dhe duke i praktikuar vlerat vetëm nëse bëhemi shtet normal, standard, do të jemi brenda BE-së”, tha Siljanovska Davkova, siç raporton “Telegrafi”.

Kandidati për president të koalicionit “Me guxim për Maqedoni” Stevço Jakimovski e filloi fushatën e tij presidenciale me takime me qytetarët në Tetovë. Jakimovski tha se i ka dëgjuar problemet e përditshme të qytetarëve dhe problemi më i madh është se fëmijët e tyre po ikin nga Republika e Maqedonisë në kërkim të një jete më të mirë.

Bujar Osmani e nisi fushatën me një konferencë mbajtur para vilës presidenciale në Vodno. Osmani tha se dita e sotme shënon fillimin e një rrugëtimi shumë të rëndësishëm, e një referendumi popullor, për të ardhmen e Maqedonisë. Biljana Vankovska-Cvetkovska, kandidatja për presidente e mbështetur nga partia “E Majta”, me një tubim në Strumicë e nisi fushatën e saj nën moton “T’ia kthejmë dinjitetin kombit”.

“Tani po vuajmë nga “qeveria jonë” hyjnore, e cila shkeli jo vetëm arritjet e së shkuarës, por vepron si pushtues i brendshëm. Na hoqi jo vetëm jetesën dhe vullnetin për përparim, por edhe shpresën. Na grabitën na e shkeli nderin, e shitën më të shenjtën, na shpërngulën më të shtrenjtët, gati të braktisin edhe copën e fundit të tokës pjellore, ajrin e kanë bërë helmues dhe pikën e fundit të ujit duan t’ia shesin të huajve”, tha Vankovska në fjalimin e saj.

Kandidati për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravari sot shpalosi platformën e tij ku tha se në të ardhmen ai do të kërkojë që presidenti të votohet në kuvend me votim të dyfishtë. Ndërkohë që në një far forme iu shpalli luftë mediave të financuara nga Rusia.

“Si president do të kërkojë që presidenti të zgjidhet në Kuvend përmes votimit të dyfishtë. Do të kujdesem që të hiqet 20 për qindëshi dhe gjuha shqipe të jetë gjuha zyrtare në nivelin e njëjtë me gjuhën maqedonase. Do të ngrejë iniciativë për lirinë e mediave. Mediat ruse dhe ato që financohen nga Rusia do të mbyllen, kuptohet gjithnjë duke pas parasysh lirin e shprehjes”, tha Taravari.

Me “Manifestin për Maqedoninë” Maksim Dimitrievki do të kërkojë mbështetjen dhe besimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Ai sot para “Makedoniumit” në Krushevë ka promovuar programin presidencial të titulluar “Manifesti për Maqedoninë”. /ZOOM.AL/