Aplikacion
Në disa raste, projektligjet mbërritën në Kuvend si nisma të deputetëve socialistë dhe u ndryshuan rrugës përmes propozimeve të orës së fundit të qeverisë, pa iu nënshtruar konsultimeve publike. Në dy raste, deputetët socialistë dhe ata demokratë bashkuan votat për të miratuar një amnisti të gjerë penale si dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor që i paraprijnë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Më poshtë gjeni një listë të ndryshimeve kryesore ligjore të miratuara gjatë vitit që po lëmë pas.
Dëmtim pa kthim për Zonat e Mbrojtura
Një projektligj i firmosur nga disa deputetë socialistë dhe më pas i ndryshuar në minutën e fundit nga disa propozime të qeverisë, i hapi udhë ndërtimit të hoteleve luksoze dhe infrastrukturës mbështese në zonat e mbrojtura. Mazhoranca socialiste e miratoi në mënyrë të njëanshme ligjin, pavarësisht kundërshtimit të organizatave mjedisore dhe delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Ndryshimet e reja rrezikojnë, sipas aktivistëve mjedisorë, dëmtimin pa kthim të natyrës së mbrojtur, duke lejuar ndërtime të rënda brenda tyre për arsye ekonomike dhe turistike.
Investimet Strategjike, një zgjatje e pafund
Gjatë vitit 2024, socialistët kërkuan dy herë zgjatje të afateve për ligjin e “Investimeve Strategjike”. Nisma e parë ligjore erdhi në mars nga deputeti Eduard Shalsi, i cili kërkonte shtyrjen e këtij afati deri në dhjetor 2027 dhe disa ndryshime të tjera që kishin të bënin me procedurat e dhënies së statusit “investitor strategjik”. Por Kuvendi i rrëzoi të githa propozimet e Shalsit me përjashtim të zgjatjes së afatit deri në dhjetor 2024. Pa përfunduar viti, me një projektligj të firmosur nga deputetja e Vlorës, Pranvera Resulaj, mazhoranca po kërkon sërish të shtyjë afatet e ligjit deri në dhjetor 2026. Bazuar në këtë ligj kontravers, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ndjekur praktikën e dhënies së pronave publike me vlerën simbolike 1 euro ose në këmbim të çmimeve shumë herë më të ulëta sesa ato të tregut për biznesmenët që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik.
Rikthimi me ligj i lojërave të fatit
Qeveria “Rama 3” vendosi të rikthejë bastet sportive, pesë vite pasi i mbylli ato me ligj dhe ndërmori një aksion me emrin “Fundi i marrëzisë”, ndërkohë që aktiviteti lulëzoi në mënyrë të paligjshme gjatë gjithë këtyre viteve. Në nismën ligjore të sjellë në Kuvend që në vitin 2023, qeveria pranoi se kishte dështuar të kontrollonte aktivitetin e paligjshëm dhe pretendoi se me ligjin e ri synonte t’a rikthente atë në shinat ligjore. Pavarësisht kundërshtimit të tij nga opozita, aktorëve të tjerë të sektorit të lojërave të fatit dhe rezervave të disa deputetëve socialistë, projektligji u miratua në shkurt 2024. Sipas ligjit të ri, bastet sportive do të lejohen vetëm online, ndërsa e drejta për ta ushtruar këtë aktivitet do jepet vetëm për 10 operatorë dhe përzgjedhja e tyre do të bëhet nëpërmjet një komisioni të veçantë.
Reforma zgjedhore dhe vota e Diasporës
Pas dështimit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike arritën një pakt politik për reformën zgjedhore, duke miratuar disa ndryshime në ligjin zgjedhor, të cilat i hapën rrugë votës së Diasporës dhe vazhdimësisë së listave të mbyllura për kandidatët deputetë. Sipas ndryshimeve, çdo shqiptar që jeton jashtë vendit me një adresë të rregullt ka të drejtën e votimit me postë në zgjedhjet e ardhshme. Ndërkohë, kryetarët e partive vazhdojnë të ruajnë kontrollin mbi listën e kandidatëve për deputetë në pjesën më të madhe të tyre. Këto lista do të jenë të mbyllura në 1/3 e përbërjes së saj dhe në pjesën tjetër të listës, vota do të jetë preferenciale, që do të çojë një “luftë” brenda llojit për të dalë deputetë.
Pakti PS-PD për “Amnistinë Penale”
Projektligji për “Amnistinë Penale” i sjellë në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë u mbajt për disa muaj në sirtarët e Kuvendit pasi kërkohej një dakordësi politike për ta kaluar me shumicë të cilësuar në seancë. Pas disa amendamenteve të minutës së fundit të propozuara nga eksponentë të Partisë Demokratike, që përfshinë në uljen e viteve të dënimit dhe subjektet e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, projektligji u votua me konsensus politik. Sipas parashikimeve të Ministrisë, nga amnistia përfituan 700 të burgosur me lirim të parakohshëm nga burgu dhe 400 të tjerë përfituan ulje dënimi. Prokuroria e Posaçme, SPAK deklaroi se rreth 100 persona të dënuar nga Gjykata e Posaçme përfituan gjithashtu nga kjo amnisti.
Pensionistët jashtë buxhetit 2025
“Buxheti i Shtetit 2025”, si nisma më e rëndësishme ligjore e qeverisë kaloi me debate të forta në Kuvend. Buxheti i ri mbështetet në parashikimin për rritjen e të ardhurave me vetëm 5.7%, ndërsa ushtria e stërmadhe e pensionistëve do të marrë 23% të të gjitha shpenzimeve dhe 25.5% të të gjitha të ardhurave, pavarësisht se qeveria nuk ka planifikuar rritje të pensioneve. Opozita kërkoi vendosjen e minimumit jetik, rritje pensionesh, por një dyzinë amendamentesh të propozuara prej saj u rrëzuan nga mazhoranca socialiste. Gjatë diskutimit të buxhetit në Kuvend, kryeministri Edi Rama premtoi bonuse për pensionistët, lëvizje që u cilësua tallëse dhe për qëllime elektorale nga opozita./ Reporter.al