zoom

In Zoom

Nga shkarkimi i Gledis Nanos te atentatet mafioze/ Ngjarje që ndodhën këtë javë

Ky artikull ka për qëllim sjelljen në vëmendje të disa ngjarjeve që ndodhën këtë javë, të cilën po e lëmë pas.

SPAK nis hetimet për Ilir Metën

SPAK ka nisur hetimet për ish-presidentin Ilir Meta.  SPAK i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën, bazuar në ligjin e dekriminalizimit.

SPAK sqaron se kërkesa e drejtuar KQZ për një kopje të formularit të vetëdeklarimit për Ilir Metën është pjesë e hetimeve që po kryen Prokuroria e Posaçme në kuadër të procedimit penal regjistruar mbi bazën e kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri.

Lihen në burg 2 rusët dhe ukrainasi të kapur në uzinën e Gramshit

Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg 2 rusët dhe ukrainasit që u kapën teksa tentuan të hynin në uzinën e armëve në Gramsh.

Avokatët e dy shtetasve rusë dhe atij ukrainas kanë kërkuar detyrim paraqitjeje.

Kryesuesja e trupit gjykues gjyqtarja Pajtime Fetau tha pas shqyrtimi të provave të sjella nga prokuroria u gjykua se dyshimet e akuzës janë të bazuar. Ndaj tre shtetasve u vendos masa e sigurisë arrest me burg.

Vendimi për hapjen e basteve sportive 

Federatat sportive kanë kërkuar rihapjen e basteve në vend përmes një peticioni dërguar Kryeministrit dhe kuvendit.

Kjo ka hapur dhe debate në shoqëri, pasi jo të gjithë janë pro kësaj kërkese. Në mesin e qytetarëve gratë kundërshtojnë me force rihapjen e tyre, ndërsa burrat janë të ndarë në mendime.

Shkarkimi i Gledis Nanos

Qeveria Rama shkarkoi drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano, për rezultate të pamjaftueshme në detyrë.

Vendimi i qeverisë, sipas ministrit të punëve të brendshme, Blendi Çuçi, lidhet me mospërmbushjen e objektivave, që kishin vënë me drejtorin e përgjithshëm të policisë.

Ministri Çuçi tha për mediat se shkarkimi lidhet dhe me situatën e krijuar muajt e fundit, e cila, sipas tij, “kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit”.

Samiti i Open Ballkan në Serbi, i pranishëm Rama

“Ballkani i Hapur” është mbledhur në Beograd të Serbisë, ku u nënshkruan disa marrëveshje të reja.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski nënshkruan një marrëveshje për sigurinë ushqimore, një plan veprimi  për emergjencat civile, një memorandum për artin dhe kinematografinë dhe memorandum bashkëpunimi për minierat dhe energjinë:

Ministrat e bujqësisë firmosën marrëveshjen për sigurinë ushqimore midis Republikës së Serbisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministrat e kulturës firmosën memorandumin e Mirëkuptimit në fushën e kinematografisë dhe aktiviteteve audiovizive në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja e tretë është për bashkëpunimin në fushën e minierave dhe Energjisë.

Atentati në Shkodër dhe Vlorë

Ekzekutohet 57-vjeçari Ismet Çekorja në Shkodër 2 ditë më parë pranë banesës së tij. Grupi hetimor i Policisë së Shkodrës ka përjashtuar nga hetimet për vrasjen e Ismet Çekorjes, hakmarrjen e Alban Bruçit, i riu që u shpëtoi atentatit të 25 Gushtit.

një person me motorr, me skafandë në kokë, është autori i vrasjes së 57-vjeçarit Ismet Çekorja. Kjo është ajo çfarë kanë evidentuar kamerat e sigurisë në vendngjarje, në lagjen “Guerrilë” aty ku u ekzekutua me 7 plumba pistolete 57-vjecari Ismet Çekorja.

Ndërsa, në Vlorë një atentat me armë zjarri ka ndodhur ndaj dy efektivëve të policisë mbrëmjes e së premtes në Vlorë.

Bëhet fjalë për efektivët Anxhelo Breshani, polic i Patrullës së Përgjithshme në Vlorë dhe tjetri Narko Mehmetaj, polic Kufiri në Sarandë.

Mësohet se punonjësit e policisë ktheheshin nga palestra, në momentin kur janë sulmuar me armë zjarri.

Sipas të dhënave paraprake, efektivët nuk njihen me personat që i kanë qëlluar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një situate të krijuar pas një parakalimi./ Zoom.al