zoom

Lajme

Nga qelia, Ilir Meta 3 orë në SPAK. Avokati Genc Gjokutaj: U pyet vetëm për lobimin në SHBA

Rreth 3 muaj pas arrestimit, Ilir Meta u pyet këtë të martë në SPAK për rreth 3 orë nga prokurorët e posaçëm në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime.

Në përfundim të seancës në një dalje për mediat, avokati i Metës, Genc Gjokutaj është shprehur se kreu i PL është pyetur vetëm sa i përket çështjes së lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjokutaj tha se Ilir Meta ka dhënë sqarime dhe ka qenë bashkëpunues për aq sa ai kishte dijeni.

“Në fakt pyetja filloi me një kërkesë të zotit Meta, i cili donte të dinte se ç’bëhej me kallëzimin që kemi bërë më lidhje me rrëmbimin me 21 tetor, por prokurorët thanë që kjo çështje nuk ju është caktuar atyre, por prokurorëve të tjera”.

Gjokutaj theksoi se klienti i tij, “sot është pyetur vetëm sa i përket lobimit në Amerikë. Zoti Meta ka qenë bashkëpunues dhe tepër sqarues në lidhje me çështjen me aq sa kishte dijeni dhe mbante mend. Për detaje të tjera do të japi shpjegime më të detajuara. Sot proceverbali u firmos dhe seanca u realizua. Prokurori Sotir Kllapi dhe seanca e sotme i ishte dedikuar e u drejtuan pyetjet për lobimin dhe vetëm për këtë, pra çështjen e lobimit. Ne nuk na janë dhënë aktet, atëherë ne do të flasim edhe me detaje, sepse çështja e shumës është një teknikalitet që kërkon jo vetëm dijeninë, por edhe vëmendje të shtuar”.

Ndër të tjera avokati Gjokutaj u shpreh se Ilir Meta ka qenë bashkëpunues dhe sqarues për çështjen, teksa kishte kërkuar edhe një fjalë për mediat ditën e sotme, por për shkak të masës ndaj tij nuk është lejuar.

“Zoti Meta i tha: ‘A është e mundur që në kushte të shoqërimit të komunikoj me mediat’? Ata i thanë që është e pamundur dhe prandaj jam unë këtu. Zoti Meta nuk diskutohet për të dhënë shpjegime dhe për të qenë bashkëpunues në lidhje me organin e hetimit. Është pyetur katër herë dhe ka dhënë shpjegime të detajuara. Zoti Meta përballë këtij procesi ka zgjedhur përballjen me aktet dhe me faktet që prokurorët kanë në dispozicioni. Rekursi do të paraqitet brenda afatit ligjor.

Meta duhej të ishte paraqitur në SPAK rreth orës 10:00 i shoqëruar nga forcat e policisë dhe në një reagim në rrjetet sociale shprehet se është akona në qelinë nr.5.

Ai shton se lajmërimin e ka marrë nga mediat dhe jo sipas procedurave ligjore. “Rreth 15 minuta më parë mediat e regjimit mashtruan duke pretenduar se unë kam hyrë në ambientet e SPAK. Nuk është e vërtetë. Unë akoma jam në qelinë Nr.5, i gatshëm që në ora 10:00 për të shkuar në SPAK edhe pse lajmërimin e kam marrë nga mediat e regjimit dhe jo sipas procedurave ligjore. Mezi po pres të takohem me “kolegët” e megahajdutëve të regjimit më të korruptuar në kontinent dhe pas seancës reciproke të pyetjeve në SPAK, jam i hapur t’u përgjigjem pyetjeve të gazetarëve”, ka shkruar Meta.

Por pak më vonë ai shkoi në SPAK i shoqëruar nga tuneli që lidh burgun 313 me godinën e Prokurorisë së Posaçme, duke shmangur kështu paraqitjen e tij nga hyrja kryesore e SPAK përballë mediave.

Ish-Presidenti është me masë sigurie “arrest në burg” që prej muajit tetor 2024 kur dhe u arrestua.

SPAK e akuzon Ilir Metën se ka ndërmarrë veprime korruptive për kontratën CEZ-DIA në kohën kur ka qenë ministër i Energjetikës gjatë qeverisjes Berisha 2.

Të hënën në SPAK u paraqit edhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, nëna e kësaj të fundit, të cilat po hetohen në gjendje të lirë për këtë çështje.

Postime të lidhura