zoom

Aktualitet

Nga magazinë, në shtëpi bari – Burrë e grua kultivonin kanabis me llamba në Vorë

Policia në Vorë zbuloi një shtëpi bari, ku një çift bashkëshortësh kultivonin kanabis.

Ata e kishin kthyer magazinën në shtëpi bari, duke e pajisur me llamba për rritjen dhe kultivimin e drogës.

Policia shpalli në kërkim Klodian Kalemin si personin që ka mbjellë bimët me kanabis.

Ndërsa bashkëshortja e tij Arjana Kalemi u procedua në gjendje të lirë.

Çifti i bashkëshortëve ishin me origjinë nga Tepelena dhe kishin pak vite që jetonin me qira në një banesë në Marikaj. Ngjitur me banesën kishin edhe magazinën që e kishin përshtatur në ambient për kultivim droge me llamba.

46-vjeçari Klodian Kalemi nuk është gjetur në banesë në momentin e kontrollit. Ndërsa bashkëshortja e tij 44-vjeçare ka thënë se nuk kishte dijeni se ku ndodhej i shoqi.

Gjatë operacionit të policisë, u arrestua edhe një punonjës i OSHEE, Lulzim Sheteli, i cili akuzohet se ka shpërdoruar detyrën sepse nuk ka vënë re lidhjen e paligjshme të energjisë, që përdorej në shtëpinë e barit. Ai ka deklaruar se nuk kishte informacion se në magazinë kultivohej kanabis.

Thasë me kanabis në Durrës

Po ashtu gjatë ditës së sotme, në Durrës, policia prangosi një 42-vjeçar, të akuzuar për kultivim dhe shitje të narkotikëve.

Në pranga ra Marjan Kurti, të cilit iu gjetën 5 thasë kanabis, me peshë totale 26 kilogramë në bagazhin e mjetit të tij.

Ai po udhëtonte me mjetin tip “Benz” në momentin që u ndalua nga policia.