zoom

Aktualitet

Nga Gjika, Tahiri, Koka, Klosi e Gjokutaj, të gjitha rastet kur Edi Rama ka larë duart me “llumin”

Në 10 vjet në krye të qeverisë, Edi Ramës i është dashur të përballet me situata aspak të lehta, që kanë cënuar jo pak reputacionin e qeverisjes së tij, si arrestimi i bashkëpunëtorëve më të ngushtë, nën akuzat për korrupsion me miliona euro apo trafik narkotikësh.

Por në të gjitha rastet, mes miqve dhe pushtetit, mes përgjegjësive politike dhe atyre personale, ia ka zgjedhur lehtësisht anën: kur miqtë kanë ngecur në rrjetën me drejtësisë, u ka dhënë duart pa hezitim.

Rasti i parë është ai i ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. I gjendur nën akuzë për shpërdorim detyre me lejet e ndërtimit në qytetin bregdetar, Rama u distancua prej tij me shumë mjeshtëri.

“Akuza tejet e rëndë dhe faktet tejet të rënda. Të gjithë ndihemi keq nga abuzimi dhe duam të shpresojmë se një abuzim kaq skandaloz me detyrën nuk qëndron”, deklaronte ai në tetor të vitit 2013, sapo kishte marrë pushtetin.

Saimir Tahiri ishte për shumë vite me radhë ministri i Brendshëm më i suksesshëm dhe më jetëgjati. Ai u përpoq ta mbronte, duke penguar arrestimin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pasi vendosi të mos i heqë imunitetin. Por kur zullumi doli hapur për shkak të hetimeve në Itali dhe kur presioni ndërkombëtar u shtua, Tahiri na doli një dru i shtrembër në turrën e drurëve të PS -së.

“Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë”, deklaronte ai në tetor të vitit 2017.

Një muaj më vonë e quajti vemje.

“Kam thënë nëse drejtësia do të provojë të kundërtën e atyre për të cilat unë e kam mbështetur vazhdimisht dhe i kam dhënë besim maksimal Saimir Tahirit, atëhere i qëndroj 100% asaj që i kam thënë. Arëhere është jo ai që ka qenë ai që unë kam menduar, por njeri që meriton vetëm fjalën vemje.”

Qëndrimin do ta zbuste vetëm kur Tahiri e kërcënoi publikisht se do ta merrte me vete ne burg.

Gati dy vite më parë Rama u detyrua të dorëzojë një tjetër vartës e bashkëpunëtor të tij.

Bëhet fjalë për ish-kryetarin e Bashkisë së Lushnjes, Fatos Tushe, i cili gjendet ende pas hekurave.

I kapur në korrupsion me një tender për hapjen e kanaleve të ujitjes, Rama u detyrua ta shkarkojë Tushes si kryebashkiak dhe mandej ta përjashtojë edhe nga partia, ndërsa vetë u deklarua publikisht se deri sa ai të vërtetonte pafajësinë para drejtësisë ai nuk do të kishte asnjë punë me PS-në.

“Ai dhe të tjerët kanë të drejtën e prezumimit të pafajësisë deri në përfundim të gjykimit por nuk është puna e PS të kërkojë pafajësinë e tyre. Ky është rasti për t’iu përsëritur juve dhe atyre që kanë marrë besimin e popullit se PS nuk është zyrë avokatie e të pandehurve, por fuqia e votuar nga populli. Korrupsioni, ryshfeti, bakshishi nuk kanë ngjyrë politike por janë e zeza, llumi me të cilët ne duhet të përballemi për të ndërtuar shtetin e të drejtës dhe për të refuzuar mbrojtjen për këdo nga ne që bie pre e tyre dhe të udhëheqim popullin drejt majës ku duhet ta ngjisim Shqipërinë. Fatos Tushe do shkarkohet nga detyra dhe do përjashtohet, masa që mund të rishikohen vetëm nëse në fund të procesit del i pafajshëm”, tha Rama në atë kohë gjatë një takimi me kryebashkiakët e tjerë socialistë.

Historia përsëritet me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i cili po ashtu gjendet pas hekurave për çështjen e inceneratorëve.

Por ndryshe nga rastet e mëparshme, për Kokën kryeministri Edi Rama vendosi të veprojë përpara se drejtësia të thoshte fjalën e saj, në mënyrë që akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre të mos e gjente me mandate deputeti.

Nuk dihet nëse u detyrua, por në mënyrë të beftë Koka pak para se të betohej si deputet i zgjedhur i PS-së, dha dorëheqen nga mandati. 4 muaj më vonë ai do të arrestohej. Sërish Rama do të distancohej dhe do të deklaronte se përgjegjësia ishte personale dhe se kushdo që kishte futur duart në pushtet për t;u pasuruar në mënyrë të paligjshme duhet të përballej vetë para drejtësisë.

“E kam thënë dhe publikisht, në momentin kur drejtësia i kërkon hesap dikujt ndër ne, ai duhet të marrë avokat dhe të përballet me drejtësinë. E dyta, çështjet me drejtësinë janë individuale, jo çështje kolektive dhe partiake. Përsa kohë vazhdon ballafaqimi me drejtësinë, nuk ka punë me partinë”, deklaronte Rama në dhjetor 2021.

E njëjta skemë u përsërit edhe për zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila ishte kapur nga përgjimet duke marrë ryshfet për të bërë punësime të paligjshme në administratë.

Pak ditë më parë policia njoftoi arresrtimin e nënë e bior, Rozeta e Havier Dobit të cilët kishin vjedhur një shumë prej 120 mijë eurosh në shtëpinë e zyrtares së lartë të qeverisë Alda Klosi. Skandali do të thellohej edhe më tej teksa në shtëpinë e nënë e bir do të gjendeshin edhe 400 mijë euro të tjera.

Ngjarja mori mbulim të madh mediatik, ndaj dhe Rama edhe një herë do të distancohej dhe do të kërkonte që goditja e rasteve të parave të pista të vazhdonte edhe më lartë, duke e kanalizuar sërish debatin drejt një çështje personale, teksa publiku shpërtheu në rrjetet sociale me akuza për një qeveri të korruptuar, ku edhe zyrtarët më të thjeshtë kanë mundur të përvetësojnë qindra mijëra euro.

“Në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë! Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë.”

Një ditë më parë policia zbatoi një vendim të gjykatës duke arrestuar dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave. Bëhej fjalë për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj dhe Drejtorit Juridik, Fatmir Hoxhaj, të cilët sipas organit të akuzës do të vidhnin 1.2 milionë euro nga Buxheti i Shtetit.

Një tjetër ministër i tij, Ilir Beqaj, është nën hetim nga SPAK për koncesionet në shëndeetësi. Edi Rama ka vendosur ta mbajë afër. I ka lënë në dorë edhe fondet e BE-së, të paktën derisa SPAK nuk po vepron ndaj tij. Në të kundërt, fjalorit të Ramës mund t’i shtohen edhe “zvarranikët” e korruptuar, që nuk kanë lidhje me partinë.

Edhe pse janë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, me të cilët ka bërë ligje e qeverisur, Rama ka ditur deri tani të distancohet prej tyre. Ai e tregoi këtë më së miri në kulmin e shpërthimit të aferës së inceneratorëve kur i kërcënoi “të korruptuarit” se do t’i çonte vetë në SPAK.

“Do më shikoni ndonjë ditë mua te dera e SPAK, me ndonjë prej këtyre prej veshi, edhe deputetët, se nuk po flas për nivele të tjera, që i zgjedhim në emrin e PS-së”.

Por deri tani, as Rama dhe as qeveria e tij nuk kanë çuar në SPAK asnjë zyrtar të lartë. Ata janë bërë mburojë e tyre kur janë akuzuar dhe kanë larë duart si pa të keq kur ministra e zyrtarë kanë përfunduar pas hekurave, duke marrë prej kryeqeveritarit edhe nofka të tilla si “llum”.

Arrestimet e ministrave dhe skandalet e fundit të zyrtarëve janë tregues i një korrupsioni të paprecedent në qeverisje. Kryeministri ia ka dalë deri tani të dalë i pastër. Por rënia njëri pas tjetrit e ministrave dhe drejtorëve të lartë po e ngushton lakun, teksa ndërkombëtarët po i bëjnë presion SPAK të hetojë politikanët dhe pushtetarët e nivelit të lartë, aty ku “llumi” mendohe se është disa herë më i qelbur se nivelet e drejtorëve. /Zoom.al