zoom

In Zoom

Nga “amësia shqiptare” te “ujë i ndotur, por mund ta pini”/ Lajthitjet ndër vite të kryebashkiakëve

Ditën e djeshme, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici do të lëshonte një deklaratë difektoze. Lidhur me rastet e paraqitura në spital me diarre dhe temperaturë, duke i çuar mjekët drejt diagnozës “helmim nga uji i pijshëm”, Gjici u shpreh:

“Për lagjen “Muja” të cilën flisni ju, nuk është e vërtetë që ka problem me ujin e pijshëm, aty ka një problem që është përzier uji i pijshëm me ujin vaditës, duke ndërhyrë një nga banorët, që policia po e heton atë rast. Po s’ka lidhje fare, uji është i pijshëm vetëm se është përzier me ujin vaditës. Na rezulton se uji i pijshëm është totalisht brenda normave dhe analizave. Drejtoria e Ujësjellësit është në krye të detyrës”.

Deklaratën në fjalë kryebashkiaku e postoi në profilin e tij në Facebook, duke u detyruar më pas që ta fshinte. Sidoqoftë, tepër vonë; videoja tanimë ishte bërë virale.

Por kjo nuk është hera e parë që një kryetar bashkie e djallos. Thënë në termonologji “skupesh”, gafat e tyre janë jo të pakta. Ishte viti 2016, kur kreu i Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila do të vihej në qendër të vëmendjes. Shkak ishte një “lajthitje” gjatë plotësimit të formularit të vetëdeklarimit. Në sektorin e gjeneraliteteve, Hila shkruante se atësia ishte Kin, ndërsa amësia, shqiptare.

Në foto: Zef Hila

Në 2019-ën, kryetari i Bashkisë së Tepelenës, Tërmet Peçi, në tentativë për të marrë me sportivitet meme-t e shumta që e përndiqnin prej kohësh, do të artikulonte një tjetër lapsus. Kështu, Peçi do të shprehej se meme-t ishin edhe thembra e tij e Akilit, duke menduar se po nënkuptonte suksesin e tij. Në fakt, thembra në fjalë simbolizon pikën e dobët, jo të kundërtën.

Në foto: Tërmet Peçi

Emri i Tërmet Peçit ishte endur në qerthullin e gafave edhe në 2017-ën, por asokohe jo për faj të tij. Në llogarinë e Facebook-ut të ish-kryeministrit Sali Berisha, në atë që njihet tanimë si “rubrika” e qytetarit dixhital, Peçi do të cilësohej si kryebashkiaku i Memaliajt dhe jo Tepelenës.

Ishte ndërrimi i viteve, saktësisht kalimi 2019-2020, kur kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli do të binte në kurthin e gafave. Teksa qytetarët prisnin mbërritjen e vitit të ri, Leli mori mikrofonin në skenë dhe nisi numërimin mbrapsht. Pikërisht këtu ndodhi një ngatërresë.

“6, 5, 4, 3, 2, 1. Gëzuar Vitin e Ri 2019”.

Luan Hoti, kandidati i Lulzim Bashës për Bashkinë e Durrësit është një tjetër emër që nuk mbetet pas në këtë listë. Plot tre, ishin deklaratat e tij që nuk u shpëtuan veshëve të mprehtë.

Gjatë një takimi, Luan Hoti do të deklarote se Durrësi kishte gjatë verës, 400 deri në 500 turistë.

“Çfarë ndodhi gjatë verës së vitit të kaluar. U mbytëm nga plehrat, në një qytet që gjatë verës i vinë 400-500 turistë”.

Po kështu, virale u bë edhe sintagma e pakuptueshme “bashkëshorti i nuses sime”.

“Besoj nuk do e kem problem sepse babai, bashkëshorti i nuses sime, babai i fëmijëve, babai i tyre është i orientuar në një fushatë pozitiviste. Nuk mendoj që edhe kundërshtarët e tjerë do merren me probleme familjare”.

Dhe në fund, lapsusi që gjeneroi pëlqime dhe shumë shikues në TikTok, “pesmarrje” në vend të “pjesëmarrje”.

Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.