zoom

In Zoom

Nga aksidenti i sotëm te rrëzimi në Lanë dhe shoferët e dehur! Skandalet e transportit publik

Mesditën e sotme, te zona e njohur si “Ura e Tajvanit”, autobusi i linjës së Unazës u përplas me 11 automjete të tjera, duke shënuar kështu një aksident zinxhir. Nëntë persona mbetën të plagosur, teksa dëmet materiale janë të shumta.

Drejtuesi i automjetit që u përfshi në përplasjen me “Unazën” foli për mediat duke thënë se autobusi ishte me shpejtësi.

“Isha në semafor, autobusi më goditi nga pas. Shoferi ishte shumë i tronditur. Më ruajti rripi i sigurimit,”- tha ai.

Edhe në videon e siguruar nga Zoom.al shihet se mjeti i transportit publik është me shpejtësi, në momentin që merr përpara makinat.

Kjo nuk është hera e parë që mjetet e transportit publik përfshihen në aksidente, ashtu siç nuk janë të pakta denoncimet e qytetarëve për moskorrektesë dhe shkelje të qarkullimit nga shoferët e autobusëve.

Një rast i bujshëm ishte ai i prillit 2022, kur një autobus i linjës së Unazës përfundoi në Lanë dhe zuri poshtë një makinë me të cilën po udhëtonin dy të rinj.

Pesë persona mbetën të plagosur, si pasojë e humbjes së kontrollit prej shoferit të Unazës,  ndonëse aksidenti mund të merrte edhe përmasa tragjike, nisur nga fakti se dy të rinjtë u bllokuan në ujë për disa çaste.

Rreth një muaj më vonë, një tjetër autobus do të përplasej. Bëhej fjalë për atë të linjës Qyteti Studenti-Jordan Misja, ku mjeti i transportit publik, si pasojë e rrëshqitjes në rrugë dhe mosfrenimit në kohë u përplas me kabinën e stacionit, teksa qytetarët prisnin autobusin. Ngjarja ndodhi në bulevardin Zogu i Parë.

Dëmet ishin vetëm materiale; xhami i parë i autobusit dhe streha prej qelqi e stacionit të pasagjerëve u shkatërruan.

Në shtator 2022, shoferi i autobusit të Kamzës mbylli derën me shpejtësi dhe për pasojë, një 80-vjeçar u dëmtua në këmbë. Ishte një qytetare ajo që bëri denoncimin për mediat, duke shtuar se i moshuari përfundoi në rrotat e autobusit, çfarë i shkaktoi plagosje të rëndë. Rasti nxiti reagime të shumta, ku komentuesit u shprehën se diçka e tillë ndodh rëndom në autobuse, ndaj u duhet të nxitojnë kur futen brenda, pasi dyert mbyllen pa kurrfarë paralajmërimi.


Shkurtin e 2021-shit u bë viral shoferi i autobusit të Kombinatit, i cili kryente manovra të çmendura në Tiranë. Personi në fjalë nuk respektonte rregullat e lëvizjes në rrugë, duke e hipur autobusin në bordurë.


Alkooli është një tjetër pikë problematike e transportit publik, ku jo pak shoferë janë kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.

Një rast problematik u shënua gjatë vitit të shkuar edhe në Durrës, duke çuar në pranga shoferin 57-vjeçar. Policia kishte marrë informacion nga qytetarët se një autobus kryente manovra të rrezikshme në rrugën Shkozet –Shijak. Pas kryerjes së kontrolleve, drejtuesi i mjetit rezultoi i dehur.


Në 2018-ën, shoferi i autobusit të linjës Tufinë-Qendër u arrestua pasi po e drejtonte në gjendje të dehur, ku testi i parë i rezultoi 0.56 mg/l dhe i dytë 0.66 mg/l.

Një tjetër shofer ishte arrestuar tre vite më parë për të njëjtën arsye. Pamjet e prangosjes së Afrim Micit, asokohe u transmetuan kudo në media. Ishte data 25 shkurt 2015 dhe po në të njëjtën ditë, një tjetër drejtues autobusi i linjës së Kasharit ishte bërë shkak i përplasjes së mjetit me autobusin e linjës së Kombinatit. Nga përplasja, tetë udhëtarë mbetën të lënduar. Aksidenti ndodhi në afërsi të Shkollës Teknologjike./Zoom.al