zoom

Politikë

Nga 1 janari, në Serbi do të lëvizin makinat me targat e Kosovës

Qeveria e Serbisë tha të hënën në mbrëmje se nga një janari i vitit të ardhshëm, do të lejojë lëvizjen e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës nëpër territorin e saj.

Aktualisht qytetarët e Kosovës që lëvizin nëpër territorin e Serbisë me targa të Kosovës, mbulojnë pjesën ku shkruan RKS me letër ngjitëse.

Vendimi u publikua nga shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konference shtypi në Beograd, gjatë se cilës tha se me këtë Serbia po respekton marrëveshjen e arritur në vitin 2011 në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave për serbët e Kosovës.

“Vendimi në fakt ishte detyrim ynë nga marrëveshja për lirinë e lëvizjes nga viti 2011, e nënshkruar nga Borko Stefanoviç, e cila u referohet targave RKS-së dhe letërnjoftimeve të Kosovës, pranimit të patentë shoferëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjeve të atëhershme dhe qëndrimi i asaj qeverie ndaj serbëve dhe dialogut”, tha ai.

Marrëveshja duhej të zbatohej deri në fund të vitit 2011 por zhvillimet në terren e pamundësuan atë.

Zyrtari serb tha se vendimi i sotëm “do të jetë një shtysë shtesë jo vetëm për ‘Ballkanin e Hapur’, por do t’ua lehtësojë jetën serbëve në Kosovë, pasi ata përdorin më së shumti vendkalimet kufitare. Në fakt i kemi ndihmuar që të lëvizin dhe të jetojnë normalisht, sepse liria e lëvizjes është e nevojshme, ndryshe nga (kryeministri Albin) Kurti, i cili shkel lirinë e lëvizjes, siç shkel çdo ditë të drejtat e serbëve në Kosovë”, tha ai, duke nënvizuar se me njohjen e targave të Kosovës shteti serb po e njeh edhe pavarësinë e saj.

“Është një vendim i rëndësishëm dhe domethënës që tregon qartë se nuk ka njohje të Kosovës dhe se nuk ka anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe në organizatat dhe agjencitë tjera të OKB-së… Le të negociojmë dhe të diskutojmë në drejtim të kompromisit, por në asnjë mënyrë njohje apo anëtarësimin e Kosovës në OKB”, tha zoti Petkoviç./ Zëri i Amerikës