zoom

Lajme

Nesër miqësorja me Azerbajxhanin, Silvinjo: Pas saj lista finale. Nuk i besoj krizës së Italisë!

Tekniku Sylvinho ka në dispozicion edhe një tjetër test miqësor, atë kundër Azerbajxhanit nesër, për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për në “Euro2024”.

Në konferencë për shtyp, trajneri theksoi se llogaritë finale do të bëhen pas kësaj miqësoreje, pas këtij takimi do të nisin punën për të përgatitur sfidën e parë kundër Italisë. Trajneri i Kombëtares nuk i beson krizës së Italisë, pasi në fund të fundit janë ende kampionë në fuqi:

Çfarë dëshironi të shihni nga kjo miqësore me Azerbajxhanin?

Është miqësorja e dytë. Kjo është shumë e shpejtë për ne, është për të gjithë në fakt. Brenda 5 ditësh zhvillojmë ndeshjen e dytë. Nuk e di se çfarë skuadre do të zbres në fushë kundër Italisë. Në këtë miqësore do t’i japim minuta disa lojtarëve që nuk kanë lujtur, të provojmë disa gjëra të reja, por ky është një proces shumë i shpejtë

A është Italia ekipi ku mund të bëjmë “bingo”, të marrin pikë? 

Italia është e fortë. Është një grup i fortë, i bukur. Ne duhet të shijojmë këtë moment, kualifikimin për herë të dytë në Evropian. Italia është kampione e Evropës në fuqi, do të jetë e vështirë. Pas miqësores me Azerbajxhanin ne do të bëjmë vlerësimet tona, për të përgatitur sfidën kundër Italisë.

Ke ndonjë dyshim në lidhje me listën, ndonjë ndryshim të fundit?

Nesër do të vendosim për listën finale. Kemi dhe një ditë kohë.

Cili është plani B në vend të Asanit?

Asani është një lojtar që ka 4-5 muaj që nuk luan një ndeshje zyrtare. Ai po stërvitet mirë, është mirë fizikisht. Kemi edhe opsione të tjera që mund të bëjnë atë rol. Asani do të luajë edhe kundër Azerbajxhanit, kjo është e sigurt. /ZOOM.AL/