zoom

Aktualitet

Nën hetim nga SPAK, reagon deputetja e PS: I kam miq Erionin e Ajolën

Deputetja e Partisë Socialiste, Klotida Bushka, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Ligjeve, reagoi pas lajmit se është vënë nën hetim nga SPAK së bashku me Erion Veliajn.

SPAK njoftoi zyrtarisht se Bushka me veprimet e saj ka tentuar të pengojë zbulimin e të vërtetës.

Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Klotilda Bushka pohon se ka miqësi me Erion Veliajn dhe Ajola Xoxën.

Ajo shprehet e habitur për hetimet që SPAK ka nisur ndaj saj.

REAGIMI I PLOTË

Jam “pa fjalë” prej 24 orësh që figurokam edhe unë në listën e gjatë të emrave që ka grumbulluar SPAK-u për të lënë Tiranën pa kryetar bashkie, bazuar në dyshime të lidhura me njëra-tjetrën si në një film, për të cilat maksimumi i akuzave për Erjon Velinë dhe Ajola Xoxën, mund të ngrihej në gjendje të lirë. Por kjo është një temë tjetër.

Pyetja ime është ku hyj unë në këtë mes dhe pse duhet të më takonte sipas SPAK-ut balta që i shoqëron këto goditje të tij, për të cilat më shpejt vihen në dijeni disa gazetarë “specialë”, se sa kush përgojohet pa u pyetur fare?

A jam unë shoqe që nga fëmijëria me Ajola Xoxën?

Po, dhe s’kam për ta mohuar, as harruar kurrë.

A jam unë edhe shoqe me Erjonin?

Po, që në rininë e parë dhe jam krenare edhe për miqësinë me Erjonin dhe për gjithçka ai ka bërë për Tiranën.

A kam folur me Ajolën gjatë këtyre muajve të ferrit që ajo po kalon, duke u gjendur nën një presion të frikshëm mediatik, përveçse në një proces që për mua ka shumë pikëpyetje?

Po, kam folur dhe do flas sa herë të më kërkojë apo ta kërkoj. Por kurrë për të mbuluar të vërtetën, sepse halli s’ka qenë asnjëherë se si e vërteta që Ajola ka ndarë me mua të mbulohet. Halli ka qenë dhe sot është edhe më i madh, se si e vërteta e Ajolës të mos mbulohet.

Thënë sa më lart, kam kërkuar të dëgjohem nga grupi parlamentar. Kjo është vërtetë e tepërt dhe mezi pres të dëgjohem edhe nga ata që kanë futur edhe emrin tim në një akt-hetimi, pa më thirrur asnjëherë.

Postime të lidhura