zoom

Lajme

Negociatat PS-PD , SHBA “mbledh” informacion nga Nikolla. Reagon ambasada e BE

Vetëm tri ditë pasi kryeparlamentarja Lindita Nikolla nxiti negociatat mes krerëve të grupeve parlamentare PS-PD, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi, zyrtarë të ambasadës amerikane i “trokitën” në zyrë.

Nikolla priti sot në një takim zëvendësambasadorin e SHBA-së në Tiranë, David Wisner.

Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat, Wisner u informua nga Nikolla mes të tjerash edhe për rikthimin në normalitet të punimeve të Kuvendit, për zhvillimin e debatit parlamentar gjatë seancave plenare, në mënyrë që publiku dhe qytetarët të njihen më mirë me përmbajtjen e legjislacionit, që shqyrtohet e miratohet në Kuvend.

Wisner kërkoi nga institucionet shqiptare të konsolidojnë demokracinë, të fuqizojnë shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, duke shtuar se mbështetja e SHBA në këtë drejtim nuk do të mungojë.

“Parlamenti është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sistemin demokratik dhe është e dobishme që palët në Kuvend të angazhohen për t’u shërbyer qytetarëve dhe të ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë”, është shprehur Wisner, sipas njoftimit të Parlamentit.

Edhe ambasadori i BE në Shqipëri foli po ashtu për negociatat mazhorancë – opozitë në përpjekje për të gjetur kompromis, në një takim që pati sot në Durrës.

Ne dëshirojmë që procesi të jetë gjithpërfshirës dhe konstruktiv dhe të reflektojë realitet politike në vend. Unë e di që ka disa përpjekje të cilat po bëhen në parlament, pikërisht për të arritur disa reforma. Kryetari I komisionit të zgjedhjeve e ka bërë të qartë se këto janë ccështje që ne besojmë se do të zgjidhen së shpejti – tha ambasadori Silvio Gonzato.

NESER KONFERENCA E KRYETARËVE

Socialistët dhe demokratët e përfaqësuar nga Sali Berisha e Gazmend Bardhi do të ulen nesër në Konferencën e Kryetarëve për të ndryshuar axhendën e punimeve 3-javore të kuvendit.

Ky pritet të jetë hapi i parë që tregon se kompromisi është arritur, pasi në axhendë do të futet kërkesa e opozitës për të ngritur disa komisione hetimore.

Zoom.al ka mundur të mësojë se socialistët do të pranojnë vetëm dy komisione, por nuk dihet ende se cili do të jetë objektivi i tyre i hetimit. Opozita ka kërkuar 8 të tilla. Dy prej kërkesave, ajo për hetimin parlamentar të konfliktit të interesit të familjarëve të kryeministrit Rama dhe ai i përdorimit të avionit “Ismaili” nga kreu i qeverisë, nuk kanë marrë dakordësi nga socialistët dhe duket se edhe opozita ka hequr dorë prej tyre.

Avioni “charter”, për të cilin Zoom.al ka investiguar gjatë, po përdoret prej 4 vitesh nga kryeministri me shpenzime që, sipas opozitës, arrijnë në mbi 22 milionë euro. /Zoom.al