Aplikacion
Grupi i hetimit ka përfunduar veprimet dhe ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme, dosjen penale ndaj shtetasit nga Irani Bijan Pooladrag, i arrestuar në vitin 2019 në Tiranë.
Pooladrag u arrestua në Tiranë në 10 tetor 2020 në kuadër të operacionit të koduar “Hija”, ku dyshohet se kryente përgjime të paligjshme të të dhënave kompjuterike, si dhe ndërhynte në sisteme kompjuterike.
Nëpërmjet veprimeve të ndryshme, iraniani kryente komunikime nëpërmjet një aplikacioni mesazhesh në rrjet, të cilin e përdorte duke e lidhur me numrat e telefonave celularë të shtetasve të tjerë.
Ai merrte kodin e konfirmimit të aplikacionit dhe më pas e transferonte atë në kompjuterin apo celularin e tij për të kryer përgjime të caktuara.
Sipas hetimeve, Pooladrag kishte mbërritur në Shqipëri me qëllim për të mbledhur informacion në lidhje me muxhahedinët e strehuar në Shqipëri, të cilët prej vitesh në zonën e Manzës.
SPAK thotë se ai akuzohet se për veprat penale, “Kryerja e shërbimeve dhe veprimeve me persona të shpallur”, “Organizata Terroriste”, “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Hetimet treguan se ai nuk kishte rrjet bashkëpunëtorësh në veprimtrinë e dyshuar të spiunazhit.
Gjatë kontrollit të banesës në momentin e arresimit para dy vjetësh, 47-vjeçarit iu sekuestruan: 4 telefona celularë, një USB, 3 dokumente udhëtimi, 10 karta sim dhe dokumente të tjera të ndryshme.
Nuk është hera e parë që në Shqipëri ka pasur tentativa për të intimiduar apo sulmuar muxhahedinët, ose opozitën iraliane në mërgim.
Në 23 tetor 2019, institucionet shqiptare të drejtësisë, goditën një rrjet terrorist të drejtuar nga regjimi iranian.
Synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK) në Tiranë në ditën e festës së Sulltan Novruzit.
Plani ishte parashikuar të realizohej marsin e vitit 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK).
Celula terroriste, drejtohej nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN, një rezident i përhershëm në Iran, i cili dyshohej se menaxhonte në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore./si.al