zoom

Ekonomi

Në 2021 u dhanë 600 mijë m2 leje ndërtimi në gjithë Shqipërinë, sivjet 800 mijë vetëm në Tiranë

Për tre muajt e parë të vitit 2022, janë miratuar 397 leje ndërtimi, me rritje 58% nga e njëjta periudhë e vitit të shkuar, ndonëse, ajo ishte ndër periudhat me më shumë leje ndërtimi. Sipërfaqja totale e dhënë për ndërtim dhe vlera që do të investohej në të, në tremujorin e parë 2021 për të gjithë Shqipërinë, është më e vogël se sipërfaqja dhe vlera e miratuar për Tiranën në tremujorin e parë 2022.

Sipërfaqja totale e këtyre lejeve është 1.031.088 m2, sa dyfishi i sipërfaqes së vitit të shkuar. Vitin e shkuar kjo shifër ishte 599.446 m2. Vetëm për Tiranën në periudhën janar-mars, janë miratuar leje për mbi 800.000 m2. Aq sa ishte miratuar për 6 mujorin e parë 2021 për të gjithë Shqipërinë.

Kjo është shifra më e lartë e sipërfaqes së zënë në një periudhë kaq të shkurtër.

Edhe vlera e lejeve të miratuara, është pothuajse dyfishuar nga tremujori i parë i 2021-shit, kur ishte 26.6 mld lekë dhe për të njëjtën periudhë 2022 është 46.76 mld lekë, për të gjithë Shqipërinë. Gjatë të njëjtës periudhë të këtij viti, vetëm për Tiranën janë dhënë leje me vlerë mbi 28 mld lekë.

Nga të gjitha lejet, 118 janë dhënë për ndërtim banesash 1 katëshe, 107 për 2 kate dhe 105 leje për  hotele apo pallate me qëllime komerciale, pra jorezidente. Por sipas hapësirës, pjesën më të madhe do ta marrin pallatet për rezidentë, me 677.931 m2, ndonëse me vetëm 58 leje të dhëna.

Vendin e parë, për numrin e lejeve e mban Tirana, ku janë dhënë 112 leje, por rritjen më të madhe të tyre e ka pësuar qyteti i Durrësit, me dyfishim të lejeve, në 84 të tilla.

Sipërfaqja e madhe e pallateve dhe rezidencave në Shqipëri ka qenë në vëmendje e autoriteteve ndërkombëtare, por edhe atyre vendase, si fushë me hapësirë për pastrim parash.

Në mars të 2022-shit,Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmoi se sektori i ndërtimit në Shqipëri dhe pasuritë e patundshme janë metodat më të parapëlqyera për pastrim parash.

Gjatë prillit 2022, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave raportoi se seria e transaksioneve të dyshimta vijon të dominohet nga tregu i pasurive të patundshme, dhe bashkë me sektorin e ndërtimit zënë vendet e para të 10 tipologjive të pastrimit të parave në vend.

Sipas një vrojtimi të mëhershëm të Bankës së Shqipërisë, raporti i ndërtimeve të kryera me banesat e blera është i zhdrejtë, ku kërkesa për to është më e ulët se oferta.

Pyetjes se pse ndërtohen kaq shumë pallate apo rezidenca në Shqipëri, i jep përgjigje “The Economist”, në një shkrim të majit të kaluar. Revista angleze shkruan se gangsterët që bëjnë para, janë konservatorë në investimin e saj. Ata nuk kanë imagjinatë, prandaj preferojnë tulla dhe llaç në vend të bizneseve të tjera që mund të përdorin për të larë paratë e tyre.

Aktivitet që sipas saj, ka sjellë shtrembërimin e vlerës së tyre dhe rritjen e çmimit të banesave në shifra të papërballueshme.

Për tremujorin e parë 2022, çmimi mesatar për m2 u rrit me 4.5%, duke shkuar në 1.150 euro nga 2021-shi.