Aplikacion
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u dha nga i biri, gazetari dhe analisti i njohur, Erl Murati, në një postim në rrjetet sociale.
“Faleminderit mjekëve dhe infermierëve të QSUNT, në veçanti Dr. Entela Bashës, të cilët u kujdesën për shëndetin e babait tim, Shaban Muratit, i cili u nda sot nga jeta.
Ceremonia mortore mbahet nesër, në varrezat e Sharrës, duke nisur nga shtëpia në rrugën A. Z. Çajupi (pas shkollës Edit Durham) në orën 12:00.
Familja pret ngushëllime të dielën, në hotel Mondial në oraret 10:00 – 14:00 dhe 16:00 – 19:00. Të mira e gëzime!”, shprehet Erl Murati.
Shaban Murati, gjatë karrierës së tij të gjatë diplomatike, shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Suedi, Norvegji, Finlandë dhe Islandë. Ai ishte gjithashtu drejtues i Akademisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë.
Shaban Murati ishte gazetar, publicist dhe diplomat karriere. Autor i shumë librave, shkrimeve dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to.
Ndër të tjera ai ka botuar: Serbia kundër Serbisë : analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004; Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007; Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatik – 2009; Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009; Hije në diplomacinë shqiptare – 2012; Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013; Rusia ballkanike – 2014; Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016 dhe Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana – 2019