zoom

Bota

Ndahet nga jeta legjenda e kinemasë franceze, Jean-Paul Belmondo

Aktori francez me famë botërore, Jean-Paul Belmondo ndërroi jetë ditën e sotme.

Legjenda e kinemasë franceze vdiq në moshën 88 vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur avokati i tij, Michel Godest.

“Ka qenë shumë i lodhur prej disa kohësh. Pati një vdekje të qetë”, u shpreh Michel Godest.

Belmondo e filloi karrierën e tij të aktrimit në teatër dhe hyri fuqishëm në botën e kinemasë më 1958, ku aktroi për regjisorin Jean-Luc Godard.

Filmat që e bënë një emër të njohur të kinemasë ishin “Breathless” dhe “The Man from Rio”.

Gjatë karrierës së tij 50-vjeçare, Belmondo aktroi në 80 filma, ku edhe bashkëpunoi me disa nga regjisorët kryesorë francezë si Francois Truffaut, Jean-Luc Godard dhe Claude Lelouch dhe me aktore si Jeanne Moreau dhe Sophia Loren.

I lindur në prill të vitit 1933 nga një baba skulptor dhe një nënë piktore, Belmondo u rrit në Neuilly-sur-Seine, një periferi e pasur pariziane. Ai mësoi në shkollat ​​elitare, mirëpo nuk ishte “nxënës shembullor” dhe ndër lëndë, preferonte sportet. / Përgatiti: Alesia Doçi