zoom

Sport

Napoli triumfon në Firenze parakalon Juventusin, Championsi më pranë

Napoli nuk heq dorë nga objektivi për të arritur një vend në zonën Champions, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 0-2 në “Artemio Franchi” përballë Fiorentinës dhe të ngjitet përkohësisht në vendin e tretë me 76 pikë.

Fitorja e Juventusit dje ndaj Interit kishte shtuar jo pak presionin te të besuarit e Gattusos, të cilët e nisën menjëherë në sulm ndeshjen, por në disa raste portieri Terracano dhe në një moment traversa, u mohuan golin e avantazhit.

Takimi u zhbllokua vetëm në fillim të pjesës së dytë, kur pas një mbajtjeje me dorë të Milenkovic ndaj Rrahmanit, arbitri akordoi penallti për Napolin me ndihmën e VAR-it.

Nga pika e bardhë shkoi Lorenzo Insigne, gjuajtja e të cilit u grushtua nga Terracano në momentin e parë, por kapiteni shtyu në rrjetë topin e kthyer nga portieri vjollcë.

Fiorentina provoi të reagojë për të rikthyer baraspeshën, por në minutën e 67’ ishte mesfushori Piotr Zielinski, që gjuajti nga distanca, ndërsa topi u devijua nga Venuti dhe përfundoi për herë të dytë në rrjetë.

Me avantazhin e dyfishtë skuadra e Gattusos e pati më të lehtë të menaxhojë lojën deri në fund dhe të marrë një 3-pikësh me mjaft vlera, ndërsa tani e sheh veten shumë pranë sigurimit të një vendi në zonën Champions, pasi për t’ia dalë duhet të bëjë të njëjtin rezultat si Juventus në ndeshjen e javës së fundit ndaj Veronës.