zoom

Aktualitet

Motra e Saimir Sulës proteston para qeverisë: Hetoni mungesën e zemrës në trupin e vëllait tim!

Motra e Saimir Sulës, të riut shqiptar, trupi i të cilit u soll pa zemër në Shqipëri ka dalë ditën e sotme në protestë para Ministrisë së Drejtësisë duke drejtuar gishtin nga shteti shqiptar.

Ajo kërkon të dijë pse Shqipëria po hesht dhe nuk hetohet fakti që në trupin e tij të ardhur nga Spanja, mungonte zemra, ndësa ngriti akuza për trafik organesh

“Pse heshtni në 3 vite, kjo heshtja juaj më bën të mendoj që këtu bëhet fjalë për trafik organesh. Nëse nuk është më thoni ku është zemra e tim vëllai. Pse është kaq e vështirë të bëni një ADN? Zoti Manja, në 3 vite ju heshtët nuk kërkuar llogari homologes në Spanjë për 7 letërporositë e nisura.

Suela Salavaçi prokurore e rastit në Shqipëri, keni rast të hapur për trafik organesh. Më tregoni si do e mbyllni, si do e hetoni, pse nuk e hetoni? Ju kam nisur video nga vdekja e Saimiri, pse nuk keni interes për imazhet e dhunës ku tregohet ai i masakruar nga 8 rojet e spitalit publik në Spanjë?”, tha ajo për mediat.

Historia e Saimir Sulës

Në maj të vitit 2020, trupi i pajetë i Saimir Sulës erdhi në Shqipëri nga Spanja dhe pas ekspertizës së bërë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, të ndjerit i mungonte zemra.

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për “Shit-blerjen e paligjshme të organeve njerëzore” dhe dërgoi një letër-porosi në Spanjë për të ditur arsyen e mungesës së organit.

E gjitha nisi pas dyshimeve të vetë familjarëve, pasi panë se në trupin e pajetë të djalit të tyre Saimir Sula, kishte një të çarë në pjesën e zemrës. Dyshimet u shtuan edhe më shumë, kur panë se në kartelën mjekësore të hapur nga spitali spanjoll nuk ishte specifikuar një asnjë rresht të saj se të riut 33 vjeç nga Tirana, i mungonte zemra.

Me mbërritjen e trupit në Tiranë, familja ka kërkuar ekzaminimin mjeko-ligjor të trupit, ku u konfirmuan dyshimet e familjarëve se Sulës i mungonte zemra. Ky rast është referuar në Prokurorinë e Tiranës në 27 maj të vitit 2020. Të afërmit dyshojnë gjatë mjekimit në Barcelonë, 33-vjeçarit i është marrë zemra në rrethana dhe arsye ende të paqarta.

Gjithsesi, shteti shqiptar nuk e ndoqi më tutje rastin e Sulës duke i lënë familjarët e tij ende të tronditur.