zoom

Aktualitet

Moti i keq/ Kapiteneria e Durrësit pezullon lundrimet, mes tyre udhëtimet drejt Barit

Drejtoria Detare dhe Kapiteneria e Durrësit, njoftuan sot se për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, anijet e transportit ndërkombëtar për pasagjerë dhe automjete s’do të operojnë deri në përmirësimin e motit.

Gjithashtu është ndaluar dhënia e leje-nisjes gjatë datave 17,18 dhe 19 nëntor duke filluar nga ora 12:00 për të gjitha mjetet e vogla lundruese si edhe anijet e peshkimit.

Njoftimi i Drejtorisë Detare:

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar  në Republikën e Shqipërisë  gjatë datave gjatë datave 17-18-19.11.2023 duke filluar nga ora 12:00 datë 17.11.2023 era do të jetë me drejtimin Jug-Jug-Lindje dhe më pas në drejtimin Veri-Perëndim në forcën deri 6-8bft me shpejtësi ere deri 20-30m/s dhe lartësi dallge deri 1.70-3.50 m.

Masat e marra nga Drejtoria e Përgjithshme Detare vijojnê si më poshtë:

ËSHTË NDALUAR DHËNIA E LEJE – NISJES GJATË DATAVE 17-18-19.11.2023 DUKE FILLUAR NGA ORA 12:00 PËR TË GJITHA MJETET E VOGLA LUNDRUESE, ANIJEVE TË PESHKIMIT DHE JANË NJOFTUAR PËR MARJEN E MASAVE PËR SIGURIMIN E TYRE.

  1. DREJTUESIT E MJETEVE TË VOGLA LUNDRUESE DHE TË ANIJEVE TË PESHKIMIT JANË NJOFTUAR QË TË KENË NË KONSIDERATË KUSHTET E PARASHIKUARA TË PËRKEQËSUARA DHE MARJEN E MASAVE PËR SIGURIMIN E TYRE.
  2. Janë njoftuar drejtuesit e anijeve të peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese për situatën e përkeqësuar dhe për merrjen e masave për sigurimin e mjeteve në vendet e akostuara dhe parandalimin e ngjarjeve dhe situatave gjatë datave 17-18-19.11.2023
  3. Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete NUK do të vazhdojnë të operojnë deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike.
  4. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 06:00 të datës 19.11.2023.

Ndërkohë Autoriteti Portual Durrës ka njoftuar se janë anuluar lundrimet drejt Barit dhe anasjelltas. Ndërsa trageti i linjës Durrës-Ancona  dhe anasjelltas do të vijojë lundrimin normalisht. “Kompanitë e lundrimeve bëjnë të ditur se për pasojë janë pezulluar lundrimet e trageteve mbrëmjen e sotme nga Porti i Durrësit drejt Portit të Barit (Itali) dhe anasjelltas.Ndërkohë trageti i linjës Durrës-Ancona  dhe anasjelltas do të vijojë lundrimin normalisht sipas parashikimit”, thuhet në njoftim. /ZOOM.AL/