zoom

Slider

Mosfunksionimi erektil, çfarë “zbulon” për shëndetin tuaj?

Meshkujt që vuajnë nga mosfunksionimi erektil kanë gjasa të jenë në rrezik më të madh të sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru ose vdekje të parakohshme, argumentojnë shkencëtarët kinezë në një studim të ri të kryer në Spitalin Universitar Nanchang dhe të botuar në Journal of Sexual Medicine.

Hulumtuesit shikuan 25 studime me një kampion total prej 154.794 burrash dhe zbuluan se ata që kishin vështirësi në arritjen ose ruajtjen e ereksionit kishin 59% më shumë gjasa të zhvillonin probleme të zemrës sesa ata që nuk kishin probleme me ereksionin.

Gjithashtu, disfunksioni erektil rrit rrezikun e meshkujve për goditje në tru (34%) dhe vdekje të parakohshme (33%). Këto rreziqe, në fakt, ishin më të mëdha për meshkujt mbi 55 vjeç, diabetikët, duhanpirësit dhe ata që vuanin nga impotenca seksuale.

Disfunksioni erektil është një gjendje që prek 100 milionë meshkuj në të gjithë botën në shkallë të ndryshme, një numër që parashikohet të rritet në 300 milionë deri në vitin 2025. Ndërkohë, sëmundjet e zemrës janë përgjegjëse për 25% të vdekjeve në Britaninë e Madhe dhe SHBA.

Shkencëtarët e udhëhequr nga Dr. Wenxiong Zhang kryen studimin në fjalë që zbuloi një lidhje të fortë midis disfunksionit erektil dhe sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe vdekjes së hershme nga çdo shkak.