zoom

Politikë

“Mos hani bar”! Pse nuk reagon PD-ja për deklaratën e ambasadores Yuri Kim

Ashtu siç Zoom.al paralajmëroi, ditën e sotme, rreth orës 13:00 u zhvillua një takim midis ambasadores Yuri Kim dhe kryeopozitarit Lulzim Basha, brenda selisë së PD-së.

Me të përfunduar takimi, Kim dha një komunikatë për shtyp e vetme, pa e patur liderin e Partisë Demokratike në krah, për të bërë publike se çfarë u diskutua.

Ajo që u deklarua në ato pak minuta prej ambasadores do të shkaktonte bujë.

“Sikur e kam përmendur, PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm që ta nxjerrë vendin nga komunizmi. Në fakt do të ishte ironi dhe tragjike që PD-ja të hante bar për hatër të këtij deputeti”, u shpreh saktësisht Kim.

Teksa mungesa e liderit të PD-së apo një komunikate zyrtare nga partia u ndje në përmbyllje të takimit, së paku pritej një reagim lidhur me deklaratën në fjalë, ku ambasadorja i kërkoi hapur Bashës distancim nga figura e ish-kryeministri Sali Berisha.

Ende aktualisht nuk ka një kundërpërgjigje në emër të Partisë Demokratike, teksa mbi çështjen në fjalë ka folur vetë i përmenduri Berisha, i cili ndër të tjera tha se Kim u tregua raciste dhe albanofobe me atë çka shprehu.