zoom

Aktualitet

Mori mijëra euro dhe u largua me biçikletë, ky është 39-vjeçari që grabiti Exchange

Ky është 39-vjeçari që grabiti Exchange në Tiranë mesditën e 24 qershorit dhe më pas u largua me biçikletë.

Artan (Marius) Tafani është shpallur në kërkim nga policia dhe po punohet për kapjen e tij.

Ai akuzohet se hyri në pikën e këmbimit valutor dhe duke kërcënuar dy punonjëset mori një shumë të konsiderueshme para dhe u largua.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur me datë 24.06.2023, ku në Unazë të Re, një shtetas nën kërcënimin e armës, vodhi një shumë parash.

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6 operacioni policor i koduar “Round”, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i ngjarjes, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Vihet në pranga një shtetas i cili me veprimet e tij ka penguar zbulimin e ngjarjes, nga punonjësit e Policisë.

Sekuestrohen biçikleta dhe veshjet që autori dyshohet se i ka përdorur gjatë kryerjes së krimit, si dhe një automjet i vjedhur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjes së ndodhur me datë 24.06.2023, kanë vijuar punën intensive me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje dhe personave të tjerë të implikuar, si dhe vënies së tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Në vijim të veprimeve intensive hetimore, bazuar dhe në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Round”.

Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim autori i dyshuar i kësaj ngjarje, shtetasi A. (M). T., 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.