Aplikacion
Përpjekjet e Bankës Qendrore Europiane për të vënë nën kontroll krizën e Eurozonës, më pas inflacioni i ulët e një varg krizash të tjera, përmes të famshmit Lehtësim Sasior ka kontribuar në këtë gjendje ku edhe shtete shumë më të pasura se Shqiperia po hasin vështirësi.
Duam a s’duam, e drejtë apo jo, për fat të keq situata monetare ne Shqipëri mund të përmblidhet “Monedha është e tyre, problemi është i yni”. Mbioferta e Euros në tregun valutor shqiptar është fakt i pamohueshëm me të cilin Shqipëria duhet të ballafaqohet.
Në Shqipëri, të paktën për këtë çështje, tregu i ideve po ze pak më tepër vend në tregun e zallamahisë. Më në fund, në media po duken gjithnjë e më tepër artikuj e reportazhe që diskutojnë politikat ekonomike dhe megjithëse të vonuar, janë prapë të mirëpritur. Sikur të kishte një vëmendje të tillë ndaj BSH prej vitesh, ndoshta gjendja do të ishte ndryshe.
Në 2 Gusht Guvernatori dha ndoshta konferencën për shtyp më me interes të Bankës së Shqipërisë. Fjala dhe veçanërisht paragrafi i fundit (që po e riprodhoj më poshtë për lexuesin) linte vend për interpretime:
“Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës thekson Banka e Shqipërisë mbetet e vëmendshme ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjeve të shtuara të kursit të këmbimit gjatë muajve të fundit. Nëse zgjerohen më tej, këto fenomene mund të dëmtojnë funksionimin normal të tregut valutor, si dhe – potencialisht – objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetin financiar. Nëse do të konstatohen këto premisa, Banka e Shqipërisë rezervon të drejtën të ndërhyjë në tregun e brendshëm valutor, në përmbushje të mandatit të saj ligjor.”
Në cilat përmasa, konkretisht, duhet të zgjerohen këto fenomene, sa pikë ose përqind duhet të forcohet leku, që të dëmtojë funksionimin normal nuk është e qartë. Edhe mediat e paraqitën në mënyra të ndryshme, në disa raste diametralisht të kundërta.
Meqënëse minutat e mbledhjes nuk u publikuan, me respektin e duhur do ti sugjeroja BSH që të paktën të publikonin nëse vendimet u morën në unanimitet të plotë apo pati edhe mendime e vota kundër. Vërtet në kompleks minutat e mbledhjes dhe votat e Këshillit të Mbikëqyrjes janë detaje, por të rëndësishëm që duhen bërë publike ashtu siç bëjnë banka të tjera qendrore. Pavarësisht fjalës së urtë angleze “Great minds think alike”, mendjet e mençura nuk para mendojnë njëlloj.
Si rrallë ndonjëherë, në fund të konferencës pati edhe pyetje. Do të doja sinqerisht ta përshëndesja gazetaren (për fat të keq emri nuk u dëgjua qartë) për kurajon dhe insistimin sepse i ka bërë një shërbim të mirë Shqipërisë. Sa mirë do të ishte sikur të tjerë të bënin të njëjtën gjë në të ardhmen.
Të rikthehemi në temë… Për fat të mirë dhe kjo është për t’u përshëndetur, BSH më në fund i kapërceu pengesat që dukej se i kish vënë vetes, në dukje objektive, në realitet virtuale (nuk ka arsye; tregu është i lirë) dhe ndërhyri për ti vënë pak fre yryshit të Lekut drejt majave gjithnjë e më të larta.
Për fat të keq, kjo nuk erdhi para se Shoqata e Eksportuesve Shqiptarë t’i dërgonte një letër institucioneve financiare ndërkombëtare ku i kërkonte ekspertizë për të vlerësuar në veçanti situatën e krijuar në tregun valutor dhe tejçmimin e Lekut.
Kërkesa, mëse normale, gjithsesi ngre një pyetje: Pse kjo kërkesë nuk ju drejtua institucioneve shqiptare si psh. Bankës së Shqipërisë? Kjo nuk përmendej – ndoshta e kanë kërkuar por nuk e kanë marrë. Gjithsesi, kërkesa mund të interpretohet si shenjë e mungesës së besimit te ky institucion. Për një institucion themelor të një shteti që bazohet tërësisht te besimi kjo është pak e vështirë për t’u gëlltitur, për më tepër kur ishte i paralajmëruar.
Në një artikull të botuar te Gazeta Dita online në 9 Tetor 2019 dhe në shtyp të nesërmen (linku për arsye që nuk dihen nuk punon – teksti origjinal është këtu), paralajmëroja që BSH duhet të bënte kujdes të madh për ato që thotë, përndryshe “deklarata të turbullta e parashikimet në tym si këto rreth dobësimit të pritshëm të lekut nuk e ndihmojnë fare forcimin e besimit të shqiptarëve te Banka e tyre”.
Tani kjo është gjendja dhe logjika të thotë se nuk pyetet mosbesuesi “Pse s’ke ti besim te unë?” por i mosbesuari duhet të pyese “Ç’duhet të bëj që të rifitoj besimin?”
BSH këmbëngul me kokëfortësi që ky forcim i lekut ka ardhur si rezultat i përmirësimit të bilancit të pagesave, numrit të turistëve, investimeve të huaja dhe remitancave. Të gjithë do të donin shumë të ishte kështu po deklaratat e mjegullta nuk ndihmojnë. Psh. meqënëse Shqipëria më shumë importon se eksporton, kërkesa neto për Euro është më e madhe se ajo për Lek – dmth. përmirësimi i balancit të pagesave në vetvete s’do të thotë asgjë.
Nuk ka kokëfortësi më e madhe se ajo e shifrave. Ja, për shembull, çfarë publikojnë institucionet turke në lidhje me numrin gjithnjë e më të lartë të turistëve që po vizitojnë Turqinë: turistët po rrinë gati dy ditë më pak në Turqi, që rezulton në të ardhura më të ulta për turist.
Por nga ana tjetër, numri i turistëve që vizituan Turqinë përgjatë 6 muajve të parë të 2023 është rritur me gati 4 milion persona, edhe si rrjedhim i çmimeve të lira pas dobësimit të Lirës Turke. Si rezultat, të ardhurat nga turizmi janë pothuaj 22 miliardë Dollarë, si ç tregon edhe grafiku më poshtë. Kjo do të ndihmojë për të ngushtuar defi çitin tregëtar të Turqisë.
Publikimi i të dhënave dhe analizës mbi të cilat BSH e bazon qëndrimin e saj mbi kursin e këmbimit Euro-Lek do ta ndihmonte shumë normalizimin e kësaj çështje, fundin e spekullimeve dhe forcimin e besimit te ky insitucion themelor i Shqipërisë.
Një sugjerim tjetër që do të forconte besimin do të ishte adoptimi i qartë i politikave “Udhërrëfyes i Përparmë” (shpresoj dikush ta shqipërojë më mirë shprehjen në anglisht “Forward Guidance”). Në lidhje me paragrafin e përmendur në krye të këtij shkrimi, Udhërrëfyesi i Përparmë psh. mund të përcaktonte qartë përqindjen e luhatjes së kursit të këmbimit dhe periudhën e kohës brenda së cilës Banka e Shqipërisë do ta konsideronte situatë anormale që do të shpinte në ushtrimin e të drejtës së saj për ndërhyrje stabilizuese.
Këto janë disa ide të thjeshta. Ka edhe të tjera që lidhen me betejën ndaj informalitetit dhe de-euroizimin, nëse BSH s’ka hequr dorë. Meqe idetë janë gjëja më deçisive për fatet e një vendi, është thelbësore që oferta e ideve ti afrohet asaj të Euros.