zoom

Bota

Molotov në shtëpinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, efektivi: Ndjeva djegie në duar e fytyrë

“Ndjeva djegie në duar dhe në fytyrë”, ka deklaruar polici që u lëndua pas sulmit në shtëpinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë.

“Ata u shfaqën papritur, duke vrapuar, me fytyrën e mbuluar, duke hedhur bombat e ndezura të Molotovit dhe nga dritarja e hapur disa ranë brenda dhe ndjeva djegie në duar dhe në fytyrë. Dola me shpejtësi nga makina dhe autorët vazhduan të vrapojnë për t’u zhdukur. Flakët u përhapën shumë shpejt në makinë dhe në pemë”, u tha oficeri i policisë kolegëve të tij menjëherë pas sulmit, sipas OPEN TV.

Sulmi me koktej molotovi ka ndodhur në orët e para të së enjtes (27/6) jashtë shtëpisë së kryetarit të Gjykatës së Lartë në Papagou.

Sulmi ndodhi rreth orës 00:45, kur persona të panjohur i hodhën bomba molotov makinës së patrullës, e cila ndodhej para shtëpisë së kreut të Gjykatës së Lartë në zonën e Papagout dhe u arratisën.

Nga sulmi u plagos një efektiv policie, i cili u dërgua në Spitalin e Përgjithshëm Ushtarak, ku po trajtohet me plagë në fytyrë dhe dorë. Ai ka djegie të shkallës së dytë, ndërsa ende nuk ka mundur të japë një deklaratë të detajuar për ngjarjen.

Një makinë policie ka marrë flakë nga sulmi. Dyshohet se bëhej fjalë për një sulm kundër oficerit të policisë dhe jo shtëpisë së kryetarit të Gjykatës Supreme. Autorët dyshohet se kanë ndjekur efektivin dhe sapo ai ka hyrë në makinën e patrullës i hodhën molotov.