zoom

Aktualitet

Moderatori Ardit Murataj dërgon në SPAK drejtuesit e RTSH: Kam prova se jam shantazhuar!

Moderatori, Ardit Murataj ka paralajmëruar padi në SPAK për drejtuesit e RTSH.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë moderatori përmes rrjeteve sociale pasi pretendon se është hequr nga puna në këtë televizion në mënyrë të padrejtë dhe se është shantazhuar.

Murataj shprehet gjithashtu se ka edhe prova për të mbrojtur pretendimet e tij.

Sipas tij, kontrata ishte për një sezon të plotë televiziv ndërkohë që ai ka realizuar vetëm 20 emisione. Po ashtu, flet se ka edhe prova se është shantazhuar, por nuk jep detaje apo emra për mënyrën sesi është kërcënuar. Megjithatë, shton se është i gatshëm që të gjitha provat që ka grumbulluar, t’i paraqesë pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Murataj u mor që të zëvendësonte Valbona Mhillin dhe Ermal Qorin. Të dy u pushuan nga puna në maj të këtij viti për shkak se gafat që bënë në emision u bënë virale në rrjetet sociale.

Reagimi i plotë:

“Të dashur miq, por edhe nga ju keqdashës. I udhëhequr thellësisht nga parimet institucionale dhe ato të shtetit ligjor, i përkushtuar në detyrën për të cilën RTSH më kontraktoi për një sezon por që nuk zgjati më shumë se 20 puntata, si autor dhe drejtues i programit “Mirëmëngjes Shqipërisë”, sot ju njoftoj se rrugëtimi në RTSH ka përfunduar. I gjendur përballë paligjshmërisë, por edhe shantazhit të faktuar me dokumente dhe prova audio-vizive, po ju njoftoj se do t’i drejtohem SPAK-ut, me çdo informacion, provë apo fakt. Për të çuar në vend drejtësinë dhe integritetin tim dhe po ashtu edhe të nëpunësve apo ish-nëpunësve të nëpërkëmbur nga lidershipi i RTSH-së. RTSH, të cilët, sipas juristëve me të cilët jam këshilluar kanë bërë një shpërdorim detyre. Po i informoj në këto momente burrërisht duke i dalë përballë dhe jo në mënyrë të pabesë siç ata bën ata. Pa asnjë pikë respekti i përshëndes të gjithë ata. Dhe mbi të gjitha i përulur nga mesazhet solidarizuese ndaj miqëve dhe kolegëve të mi. I juaji Ardit Murati,”-thotë moderatori në video.