zoom

Ide & Blog

Modeli estonez

Nga Ilir Kalemaj

Në 1997-ën Estonia mori një vendim që do të ndikonte jo vetëm në transformimin e sistemit arsimor të këtij vendi të vogël me vetëm 1.3 milionë banorë, ish-Republikë Sovjetike, por do të revolucionarizonte dhe filozofinë arsimore në vigjilje të shekullit të ri për pjesën tjetër të botës.

Ndërkohë që sapo kishin dalë nga ‘zgjedha’ sovjetike, ata lançuan politikën “kapërcim tigri” që bëri pajisjen e të gjitha shkollave me akses në internet. Ndërkohë që shumëkush mendoi që kjo ishte një politikë shumë ambicioze për një komb-shtet të këtyre përmasave, Estonia vuri bast që teknologjia do ta transformonte përgjithnjë mënyrën e të nxënit. Kësisoj ata pajisën çdo klasë me internet dhe çdo subjekt kishte tekstet online. Rezultatet ishin befasuese dhe mbresëlënëse. Fillimisht renditja e estonezeve në teste u përmirësua ndjeshëm, duke u renditur ndër të parët në Evropë. Për shembull në matematikë u renditën në vend të dytë pas Zvicrës, e njëjta gjë në lexim me Irlandën ndërsa në shkencë zunë vendin e parë absolut. Por nuk u ndalën me kaq.

Në 2012 lançuan programin ProgeTiger. Kjo nuk ishte thjesht një iniciativë teknike por ishte një mënyrë e të ri-imagjinuarit të procesit mësimor. Estonezët integruan shkencat inxhinierike, dizajnin dhe teknologjinë e komunikimit të informacionitnë të gjitha lëndët. Për më tepër krijuan një netuork të mësuesve të specializuar në këto fusha. Këta arsimtarë të fokusuar në teknologji nuk dhanë vetëm mësim, por transformuan njëkohësisht mënyrën se si studentët ndërveprojnë me teknologjinë. Nga programimi te robotika, nga kopshtet te shkollat profesionale. Ky impakt sendërtoi një filozofi krejt të re.

Në këtë mënyrë u përshtatën më së miri dhe i paraprinë revolucionit të katërt industrial, apo të njohur tashmë rëndom si ai i inteligjencës artificiale. Më vonë ndërtuan dhe një program të ri të trajnimit të mësuesve “Si të bësh inteligjencën artificiale të punojë për ty”. Ky program kombinonte 19 orë të trajnimit intensiv, çka kombinonte studimet onlajn me praktikën. Mësuesit mësuan se si të integronin zgjidhjet bazuar në inteligjencën artificiale në çdo aspekt të mësim-dhënies. Më pas Bordi Kombëtar i Arsimit mblodhi një task forcë të përbërë nga ekspertë nga universitetet kryesore. Misioni i tyre nuk ishte thjesht të mësonin aftësi digjitale. Në fakt ishte të mësonin se si këto aftësi janë zhvilluar dhe vlerësuar. Nga ky proces lindën qendrat e inovacionit dixhital që krijuan ura mes arsimit dhe industrisë. Kjo e kombinuar me strategjinë e të nxënit gjatë gjithë jetës, krijoi diçka krejt të veçantë. Nga ky kombinim lindën ide që u kristalizuan në projekte të jashtëzakonshme si software për skype që u zhvillua nga katër estonezë.

Këto zhvillime tërhoqën vëmendje ndërkombëtare, madje dhe të atyre vendeve që ishin pionerë në teknologji dhe arsim cilësor si Singapori. Ky i fundit i’u afrua dhe vendosën të lidhnin partneritet së bashku, çka do të konsistonte në ndarjen e praktikave më të mira, zhvillimin e politikave dhe ndryshimin e kurrikulave. Estonia ndërkohë zhvilloi një strategji të re të inteligjencës artificiale për vitet 2019-2021 dhe investoi 10 milionë euro në të. Kjo çoi në kurrikulume të avancuar me bazë teknologjinë, programe të ndërgjegjësimit publik dhe programe të reja master ndër-disiplinarë që përfshinin inteligjencën artificiale në çdo fushë. Shembulli estonez provon që është shumë e rëndësishme që politikat publike në përgjithësi dhe ato arsimore në veçanti të vënë potencialin teknologjik në dispozicion për zhvillim të kapaciteteve njerëzore. Ky shembull na tregon gjithashtu se si vende të vogla që ndajnë të njëjtën trashëgimi komuniste si ne, mund t’ia dalin dhe të zhvillojnë një kapitalizëm konkurrues.