Aplikacion
“Pas të dielës qeveria greke nuk duhet të konsumohet në diskutime për përqindjet elektorale, por duhet të jetë në gjendje të vazhdojë politikën e një Greqie të fortë, duke i dërguar mesazhin fqinjëve tanë veriorë, se rruga e Shkupit dhe e Tiranës për në Bruksel domosdoshmërisht kalon nga Athina. Dhe se vetëm respektimi i ligjshmërisë dhe traktateve ndërkombëtare mund të japë dritën jeshile”, tha Kyriakos Mitsotakis, Kryeministër i Greqisë.
Analistët besojnë se, Partia Demokracia e Re, e cila përfaqësohet nga Kyriakos Mitsotakis do të arrijë fitore në zgjedhjet e së dielës për Parlamentin Europian. Kyriakos Mitsotakis u ka bërë thirrje grekëve të votojnë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian për të mbrojtur interesat e vendit, dhe forcimin e të ardhmes.
Partia qeverisëse e qendrës së djathtë të Mitsotakis, Demokracia e Re kryeson lehtësisht në sondazhet e fundit, e ndjekur nga partia kryesore opozitare e majtë Syriza dhe partia socialiste PASOK në vendin e tretë. Demokracia e Re udhëhoqi edhe në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian në 2019.