zoom

Bota

Mitsotakis: Përdorimi i emrit “Maqedoni” nga presidentja, provokuese dhe e palejueshme

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka shprehur mosmiratimin e Greqisë për qëndrimin e presidentes Gordana Silianovska, e cila u betua në emër të “Maqedonisë” dhe jo “Republikës së Maqedonisë së Veriut” siç parashikohet nga Marrëveshja e Prespës.

Në një postim në Facebook, ai flet për një iniciativë të paligjshm, si edhe një akt që shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë Kushtetutën e shtetit të saj.

“Minon të ardhmen e saj, siç kanë deklaruar tashmë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel“, shkroi kryeministri grek.

Në të njëjtën kohë, ai deklaron se “Greqia refuzon manipulime si ato me të cilat zonja Silianovska po hap mandatin e saj”, të cilën ajo “i bën thirrje t’i kthehet detyrave të saj ligjore dhe sjelljeve që rrjedhin nga roli i saj”.

“Ne deklarojmë kategorikisht se nuk do të pranojmë rrëshqitje të ngjashme. Dhe përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i ndërmarrë nga Shkupi drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve. Nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj. Dhe sigurisht nga shmangia e sfidave”, përfundon kryeministri, Kyriakos Mitsotakis.

Presidentja e re Gordana Silianovska në ceremoninë e djeshme të betimit në Kuvendin e Shkupit, e ndryshoi betimin dhe në vend që të bënte betimin si presidente e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u betua si presidente e “Republikës së Maqedonisë”, duke shkelur Marrëveshjen e Prespës.