zoom

Aktualitet

“Miting elektoral i prezantuar si takim pune, Rama hap fushatën me punëtorët e bashkisë”

Nga BIRN

Një fjalim që zgjati rreth 45 minuta në Sheshin Skënderbej nga kryeministri Edi Rama para punëtorëve të Bashkisë Tiranë duket se shënoi nisjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, një fjalim në të cilin Rama iu referua kundërshtarëve dhe kritikëve si “mutëri kënete”, “dele”, “sqetull-kazan” apo “anti-urban”.

Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu fyerjet dhe sharjet për gjithkënd që nuk bie dakord me të, përfshirë kundërshtarët politikë, kritikët apo gazetarët, duke zbrazur një thes me epitete fyese ndërsa mbajti një fjalim para disa mijëra punonjësve të Bashkisë Tiranë të thirrur në Sheshin Skënderbej, një ngjarje që dukshëm ishte miting elektoral por që ai vetë e përshkroi si “takim pune” për të shmangur ndalimet që vendos Kodi Zgjedhor mbi abuzimin me burimet shtetërore dhe shtrëngimit të punëtorëve të sektorit publik që të marrin pjesë në mitingjet e partisë në pushtet.

Gjithsesi, ndonëse përsëriti deklaratën jo të mbështetur në fakte se “Erion Veliaj është arrestuar pa gjyq”, Rama duket se zbuti qëndrimin ndaj Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndërsa i paralajmëroi punëtorët e bashkisë të mos bënin më protesta para SPAK siç ndodhi ditën kur në seancë gjyqësore, masa e sigurisë arrest me burg u konfirmua nga gjykata me kërkesë të prokurorisë.

“Ju thirra në këtë takim pune për shkak se gjatë këtyre ditëve kam parë njerëz të vrenjtur, të zhgënjyer, të dëshpëruar,” i tha Rama punëtorëve pasi atyre iu shfaq një video promocionale të punëve të atij vetë si dhe të Veliajt në postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Rama sugjeroi më tutje se organet e drejtësisë mund të gabojnë ndërsa sugjeroi se gabimet e politikanëve nuk shkatërrojnë jetë njerëzish, ndryshe nga gabimet e drejtësisë. Ai duket se e mbylli kapitullin me Lali Erin duke uruar që atij “t’i bëhet një gjyq i drejtë” ndërsa vijoi me sharje dhe fyerje të gjithkujt që nuk mendon si ai apo që ka vërejtje për gjendjen e vendit, nga ata që ai i quajti “gjykatësit e rrjeteve sociale” te gazetarët apo kundërshtarët politikë.

“Nuk më takon mua të them nëse Lali Eri është i pafajshëm apo fajtor,” tha Rama.

Në fakt, që para fjalimit të Ramës, në një si lloj reagimi nga subkoshenca, nënkryetarja e bashkisë Anuela Ristani iu referua kryetarit të arrestuar në më shumë se një herë me folje të vendosura në kohën e kryer të thjeshtë.

Nga mesi i fjalimit Rama u përpoq të bënte punëtorët e bashkisë për të qeshur me një barsoletë që përfshinte një berber dhe ku batuta ishte që një erë e qelbur që supozohej që vinte nga kanalet e ujërave të zeza në fakt vinte nga sqetullat e “atyre që shajnë”. Rama mbajti fjalën pezull për disa sekonda me shpresë se punëtorët do të qeshnin por këta të fundit duket sikur nuk e kuptuan barsoletën ose nuk u erdhi për të qeshur.

Nga fundi i fjalimit, ndërsa errësira e mbrëmjes po binte në Sheshin Skënderbej por Rama ende kishte shumë gjëra për të thënë me shifra mbi të ardhurat nga taksat, rritjen shumëfish të pemëve të mbjella apo sasisë së taksave të paguara nga ata që marrin leje ndërtimi, turmat e punëtorëve të bashkisë të thirrur për këtë takim pune u panë të dalin nga rrethimi, dukshëm jo shumë të interesuar për të dëgjuar fjalimin deri në fund.

Rama iu referua kritikëve apo kundërshtarëve si “anti-urban”, “anti-evropian” apo “sqetull-kazan”. Për personat që kanë pasur vërejtje mbi projektin e Sheshit Skënderbej dhe dominimin e betonit dhe të pllakave në vend të barit, Rama deklaroi se ata ishin “dele që bënin be-be-ba” ndësa atyre që e kritikojnë për krijimin e një oligarkie në vend, me një numër të kufizuar biznesmenësh që kontrollojnë ekonominë me monopole e koncesione dhe kanë krijuar një regjim mediatik për të mbytur të vërtetën, Rama iu referua si “bretkosa, zhaba dhe zhapikë”.

Rama deklaroi se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga politika sepse, tha ai: “Kam një luftë për të mbaruar.”

Në fund iu referua të gjithëve tok, kundërshtarëve politikë, kritikëve mes publikut apo gazetarëve, si “mutëri,” ndërsa argumentoi se kjo fjalë “e bukur shqipe” është e përshtatshme për këtë rast.

Siç ndodh rëndom në takimet e tij elektorale, gazetarët nuk u lejuan të kryejnë xhirime në mënyrë të pavarur. Kur ky gazetar bëri një fotografi të pajisjeve të kontrollit fizik për mjete metalike ku duhej të kalonin punëtorët e bashkisë për të hyrë në rrethimin e mitingut, një vajzë me veshje civile i bëri me shenjë një punëtori të gardës për të ndaluar fotografimin. Punëtori i gardës u afrua menjëherë duke thënë: “nuk lejohen celularët” pa dhënë shpjegime se mbi çfarë ligji mbështetej kjo.

Postime të lidhura