zoom

Aktualitet

Misteri i vrasjes së biznesmenit, gazetarja: Dyshohet se Eduart Reçi u qëllua nga një dhomë hoteli

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje nga vrasja e mistershme e biznesmenit Eduart Reçi, krim i ndodhur mbrëmjen e së mërkurës pranë Fakultetit Ekonomik.

Ajo ka treguar se ka dyshime se biznesmeni i ndërtimit u qëllua nga një dhomë hoteli me fushëpamje nga vendi ku po qëndronte viktima, pranë pallatit të vet, ku edhe banonte.

“Ka dyshime se u qëllua nga dhoma e një hoteli që kishte fushëpamje mbi këtë sheshqëndrim”, tregoi gazetarja.

Klodiana Lala u shpreh se viktima po fliste në telefon me një person që do t’i çonte mjetin për ta rregulluar.

Ndërsa sipas saj, mendohet se distanca nga është qëlluar të jetë 25-30 metra, por ende s’ka asnjë gjurmë të autorëve.

“Është ngjarje e çuditshme. Kamerat nuk kapnin asnjë moment, Eduard Reçi, 52 vjeçar u plagos dhe sot ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës. U qëllua me plumb në kokë. Mekanizmi është i çuditshëm. Ai ka qenë në sheshpushimin e pallatit ku banonte, po fliste në telefon me një person që do t’i çonte mjetin për ta rregulluar. Ka dyshime se u qëllua nga dhoma e një hoteli që kishte fushëpamje mbi këtë sheshqëndrim.

Mendohet të jetë 25-30 metra distanca. Është bërë kontroll i hotelit dhe pallateve të larta aty në zonë. Nuk janë gjetur gjurmë të autorëve. Eduard Reçi, kohët e fundit nuk kishte patur problematikë. Ka punuar dikur në SHISH, është tërhequr nga ajo punë. Bëhet fjale për 25 vite më parë.  Ishte futur më pas në tokën ku ka ndërtuar pallatin me kompaninë e tij, kishte legalizuar. Bashkëshortja punon në një nga përfaqësitë diplomatike, është pedagoge e gjuhëve të huaja. Kanë dy fëmijë. Familja ka pretenduar se nuk ka konflikt dhe nuk është ruajtur në asnjë rast.

Disa kohë më parë ka bërë kallëzim penal për rast vetëgjyqësie, për një person që pranë pallatit të tij ka një pronë. Kjo çështje është pushuar më parë.

Për motivin, prokuroria dhe policia kam përshtypjen se janë shumë larg. Gjatë të gjithë javës, përpara lokalit, janë hedhur fishekzjarrë dhe kapsolla. Në momentin që është qëlluar, qytetarët kanë menduar se po vijonte i njëjti ritual si ditët e tjera. Për këtë arsye nuk është menduar si vrasje në momentin e parë. Kur e kanë parë në tokë e kanë kuptuar. Kamerat shfaqin momentin kur ai bie pa ndjenja, por nuk shfaqin autorin e dyshuar askund. Janë marrë kamerat dhe po shihen me kujdes hyrjet dhe daljet për të parë se kush mund të ketë qenë.

Ndërkohë hetuesit do të kthehen edhe në vitet 97′-98′, nëse ka patur problematika në qytetin e lindjes.

Ajo që u mendua si ngjarje e thjeshtë, nga mënyra si është kryer, hetuesit besojnë se ka patur një përgatitje. Dyshohet për qitës profesionist, që ka bërë gjuajtje në distancë”, tha gazetarja Klodiana Lala në emisionin Te Paekspozuarit.